Reklama shtetërore, “Posta Shqiptare” shpërndan para “nën dorë”

Çfarë po ndodh me reklamat shtetërore? Në fakt, asgjë e pazakontë. Ato ndahen sipas interesave, në formë qoke, që në njëfarë mënyre - apo në një tjetër, të jenë si një shpërblim për “mbyllje goje” para abuzimeve që ndodhin në institucionin në fjalë. Një gjë e tillë ka ndodhur edhe me një poster të “Posta Shqiptare” që ka filluar të qarkullojë së fundmi. Ky konkluzion vjen pasi u konstatua se Posta, kjo agjenci shtetërore apo thënë ndryshe “sh.a”, e ka shpërndarë reklamën nëpërmjet një agjencie, jo sipas kritereve të përcaktuara qartë, e që kanë të bëjnë me deklarimet e shitjeve apo numrin e lexuesve që ka një media, dhe për më tepër, pa asnjë tender apo njoftim zyrtar. Thënë shkurt: nën dorë. Nga reklama në fjalë kanë përfituar disa organe shtypi të afërta me qeverinë, të cilat thjesht nuk po i përmendim në këtë shkrim, jo për të ruajtur ndonjë etikë, por sepse kushdo mund t’i vërtetojë pa shumë mund. E gjitha kjo ndodh kur veprimtaria e “Postës Shqiptare” është vënë nën hetim pas auditimit që ka ushtruar Kontrolli i Lartë i Shtetit. Auditimi që ka bërë KLSH përfshin drejtuesit aktualë dhe të mëparshëm të Postës, si ish-drejtorin Ardit Çela dhe drejtori aktual Majlind Lazimi. Sipas një raporti të KLSH, Posta ka shkelje dhe abuzime me përmasa të mëdha, pasi është shkaktuar dhe një dëm i pallogaritshëm nga drejtuesit e saj.
v.l
Add new comment