Zv.presidenti amerikan Joe Biden vizitë në Turqi në përpjekje për të riparuar marrëdhëniet me Ankaranë

Atmosfera ndërmjet Uashingtonit dhe Ankarasë është e tensionuar, pas mosmarrëveshjeve të hapura mbi konfliktin në Siri. Ndërkaq zv.presidenti amerikan Joe Biden është nisur për në Turqi. “Deutsche Welle” shkruan se Joe Biden thotë nganjëherë gjëra, të cilat politikanët e tjerë preferojnë t'i mbajnë për vete. Dhe për presidentin turk Rexhep Taip Erdogan dihet se në shumicën e rasteve ai është i ndjeshëm ndaj kritikave. Prandaj nuk qe çudi, që Biden me deklaratat e tij në fillim të tetorit zëmëroi kreun e shtetit turk. Biden pohoi se Erdogan i kishte thënë, se ka qenë gabim për t'u mundësuar luftëtarëve islamikë kalimin në Siri përmes kufirit turk. “Deutsche Welle” thotë se Uashingtoni ka filluar luftën kundër milicëve xhihadistë të "Shtetit Islamik" (IS) në Siri dhe në Irak dhe bombardon nga ajri pozicionet e IS në qytetin Kobane në Sirinë veriore, direkt në kufirin me Turqinë. Por qëndrimi i Ankarasë është se bashkësia ndërkombëtare duhet të përqendrohet në rrëzimin e regjimit të presidentit sirian Bashar al-Asad. Nisur nga këto qëndrime të kundërta javët e fundit Erdogan akuzoi SHBA se me operacionin në Kobane mbështesin një organizatë terroriste, partinë e kurdëve PYD, e cila lufton kundër IS atje, një degë e rebelëve kurdë të Partisë Punëtore të Kurdistanit (PKK).“Deutsche Welle” thotë sgjithashtu se SHBA e furnizoi PYD me armë, megjithëse Erdogan e kishte kundërshtuar një gjë të tillë. Tanimë Biden gjatë vizitës së tij në Ankara do të përpiqet për afrimin e pikëpamjeve.
L.V
Add new comment