Rama çel për publikun bunkerin anti-atomik të ndërtuar në ambientet e “Batalionit të Diko Zeqos”

Bunkeri anti-bërthamor i ndërtuar nga regjimi komunist do të hapet më në fund për publikun. Prej orës 11:00 të paradites së të shtunës, gjithkush mund të shohë se çfarë fsheh ai, si e kishin menduar arkitektët e diktaturës një strehim të tillë, sa hapësirë ka e mjaft detaje të tjera. “Në 11:00 sot çelim për publikun bunkerin e fshehtë anti-atomik të diktaturës komuniste! Çudira të vjetra e surpriza të reja në një pallat në tokë” shkruan Rama në Twitter. Bunkeri, i cili ndodhet në Shtish Tufinë, pranë Batalionit Mbështetës të Shtabit të Përgjithshëm hapet me rastin e 70 -vjetorit të çlirimit, si pjesë e një aktiviteti kulturor, të organizuar nga Ministria e Kulturës dhe do të shndërrohet në një muze të artit bashkëkohor, Art D-0 ARK Underground, që realizohet nën patronazhin e UNESCO-s.
Në vitin 2010 Batalioni i Mbështetjes apo Batalioni i Sigurimit, siç quhej para viteve ’90, pjesë e strukturës së Regjimentit të Mbështetjes SHPFA, kremtoi 45 vjetorin e krijimit të tij. Ceremonia u zhvillua në vend dislokimin e tij tek “Rrapi i Treshit”, në Tiranë, ku për shërbimin e kryer ndër vite Batalioni u dekorua nga Presidenti i Republikës. Pas ceremonisë së rastit u ndala të bëja një intervistë të gjatë me ish-komandantin e Batalionit të Sigurimit, Diko Zeqo, emri i të cilit ishte kthyer në legjendë, aq sa Batalioni i Sigurimit njihej shkurt si “Batalioni i Diko Zeqos”. Ishte një dëshmi e rrallë, ndoshta e vetmja që ish-komandanti legjendë i Batalionit të Sigurimit, Diko Zeqo bëri pak para se të ndahej nga jeta.
Gjatë kësaj interviste fjala ra edhe për strehimin anti-atomik, për të cilin Diko Zeqo u shpreh se në përfundim të punimeve Enver Hoxha erdhi për vizitën e vetme në këtë repart dhe pasi u njoh me vendet ku do të strehohej Shtabi i Përgjithshëm gjatë luftës, ai vlerësoi punën e bërë dhe falënderoi për gjithë atë që pa. Më tej, duke iu referuar intervistës së bërë disa vite më parë dhe të botuar në një të përditshme, Diko Zeqo tha: “Në këtë tunel kishte gjithçka. Ishte projektuar që në rast lufte e gjithë Ministria e Mbrojtjes të shpërngulej atje. Dhe ishte parashikuar që të mos mungonte asgjë. Dhomat e punës, të ndenjes, të fjetjes, të gatimit. Kishte aparatura moderne të kohës për ndërlidhjen, radio e televizorë. Më poshtë kishim depot e ushqimeve. Ndërsa armatimi ishte sistemuar në tunele të tjera. Dyert prej betonarmeje ishin parashikuar që t’i rezistonin dhe bombës atomike. Pra ishte një vend ku kishte gjithçka nga mund të drejtohej lufta. Shtabi i Përgjithshëm mblidhej shpeshherë në tunele. Kur punohej për planifikimin e stërvitjeve të rëndësishme por dhe kur kishte stërvitje Shtabi”.
Dhe kaq sa për kujtesë, pasi në ato vite ky vendstrehim nuk ishte i hapur për vizitorët.
Leonard Veizi
Add new comment