Bunkeri i Enverit, Berisha: “Ka qenë vendkomandë lufte, jo bunker antinuklear. Orendimi nga arkiva e znj.Hoxha. Punime pa tender nga Karlo Bolino”

Kryeministri Edi Rama deklaroi para dy ditësh se bunkeri i hapur për publikun dhe përshtatur si muze, ka qenë një vendmbrojtje kundër sulmeve bërthamore. Mirëpo sot, paraardhësi i Ramës, Sali Berisha, jep një variant tjetër, duke shtuar edhe hollësi për “riorendimin” e bunkerit. Ja se çfarë thotë Berisha në rrjetin “Facebook”: “Në "art muzeun" e të atit të tij shpirtëror, të ngritur në një vend komandë për kohë lufte dhe absolutisht jo bunker antinuklear, Rama kishte përzgjedhur me kujdes fotografi të moshave të ndryshme të diktatorit barbar, dhomat e gjumit, sallat e mbledhjeve, të kinemasë, etj., të orenduar të gjitha rishtas. Shtoj këtu se në atë bunker, ndryshe nga sa mashtroi paftyrësisht Edi Rama shqiptarët, nuk ka ekzistuar deri para një viti asnjë foto e Enverit, asnjë objekt, shtrat, jorgan, batanije, tavolinë, harta apo mjete të tjera të kohës së tij. Të gjitha janë ofruar nga zonja e zezë e Enver Hoxhës, familja dhe arkivat e saj”, akuzon Berisha. Ai shton edhe një problem tjetër që ka të bëjë me koston e përshtatjes së këtij bunkeri në mjedis interesant, aq sa siç njofton z. Rama, edhe agjenci turistike në Vjenë, po tregojnë interes. Dhe ky problem është se kush ka bërë aredimin e rastit. “Duke e ngritur "art muzeun" e diktatorit Hoxha, me rreth 1 milionë euro, para të taksapaguesve shqiptarë, të cilat ia besoi pa tender, Karlo Bolinos, Edi Rama poshtëron një popull të tërë që përjetoi, gjatë sundimit të Hoxhës, izolimin më të thellë të historisë së tij”, thotë Berisha.
S.z
Add new comment