Kryeministri kroat, Milanoviç, anulon vizitën në Beograd. Shkak, mosdistancimi i Vuçiç nga fjalimi i Sheshelj

Postuar në 28 Nëntor, 2014 10:04

Kryeministri kroat, Zoran Milanoviç anuloi një vizitë në Serbi, parashikuar në mes të muajit dhjetor, njofton “AFP". Shkak është bërë mungesa e reagimit nga ana e Beogradit për fjalimin e mbajtur së fundi nga ultranacionalisti, Vojislav Sheshelj. Që prej rikthimit të tij, vendosur nga TPIY-ja për arsye shëndetësore, ai nuk hoqi dorë nga retorika nacionaliste duke u shprehur për krijimin e një “Serbie të Madhe” duke përfshirë këtu dhe territoret e Kroacisë dhe konfirmoi se kishte si qëllim të largonte nga pushteti ish-aleatët e tij të afërt, Nikoliç dhe Vuciç, sot pro-evropianë, të cilët i cilësoi si tradhëtarë.  “Milanoviç priste që autoritetet e Beogradit të distancoheshin nga deklaratat e fundit të Shesheljit, për më tepër kur bëhet fjalë për personalitetet, presidentin serb, Tomislav Nikoliç dhe kryeministrin, Aleksandar Vuçiç, të cilët kanë qenë anëtarë të partisë së tij në vitet 1990″, deklaroi zëdhënës i qeverisë kroate. “AFP" bën të ditur se vendimi i Milanoviç ilustron prishjen e marrëdhënieve mes Kroacisë dhe Beogradit, tashmë të ftohura për shkak të propozimeve, të cilësuara nacionaliste nga Zagrebi, të bëra nga Nikoliç në zgjedhjet e vitit 2012. Vojislav Seshelj, 60 vjeç, u kthye në Serbi në mes të muajit nëntor pas 12 viteve në një burg të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë ku u gjykua për krime lufte, në Kroaci dhe Bosnje-Hercegovinë. Të mërkurën, Parlamenti kroat miratoi një deklaratë duke i kërkuar drejtësisë ndërkombëtare të rikthejë vendimin për lirimin e përkohshëm të Sheshejlit.

Ndërkohë Parlamenti Evropian i bëri thirrje Serbisë që të marrë masat e duhura ndaj një serbi ultranacionalist për “retorikën e tij të kohës së luftës”. Parlamenti miratoi një rezolutë që dënon me forcë Vojislav Sheshelin për atë që e quajti “luftënxitje, nxitje të urrejtjes, dhe inkurajim i pretendimeve territoriale, në vazhdën e përpjekjeve për të devijuar Serbinë nga rrugëtimi i saj evropian”. Rezoluta i bën thirrje autoriteteve serbe të hetojnë sjelljen e Sheshelit dhe të ndërmarrin hapat e nevojshme në rast se ai ka shkelur ligjet kundër gjuhës së urrejtjes dhe komenteve të tjera të ngjashme.

 

L.V

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.