“Tribuna” e Kosovës: Debat për postin e kryeministrit, dështimi i marrëveshjes çon vendin në zgjedhje

Postuar në 05 Dhjetor, 2014 02:19

Gazeta “Tribuna” shkruan se shtyrja e nënshkrimit të marrëveshjes përfundimtare në mes të PDK-së dhe LDK-së, po lë hapësirë që marrëveshja e 19 nëntorit mund të mos jetësohet. E padyshim, sipas artikullshkruesit Burim Xhemajli, dështimi i jetësimit të kësaj marrëveshjeje pritet ta çojë vendin në zgjedhje. Kjo për faktin se asnjëra nga partitë të cilat kanë mbetur jashtë përfshirjes së kësaj marrëveshjeje, nuk dëshirojnë t’i bashkohen PDK-së, në tentimin për t’i krijuar institucionet. “Tribuna” shkruan se një situatë e tillë ka ardhur si rezultat i këmbënguljes së partisë së Isa Mustafës për postin e kryeministrit, post të cilin PDK ende nuk po mund të bindet se nuk do ta ketë. Anëtari i kryesisë së LDK-së, Naser Osmani, është shprehur i bindur se Isa Mustafa do të jetë kryeministër i ardhshëm i Kosovës. Sipas tij, nëse ndodh e kundërta, atëherë LDK do të heqë dorë nga marrëveshja me PDK-në për krijimin e institucioneve të reja. “Tribuna” bën me dije se PDK dhe LDK kanë kohë deri në fund të kësaj jave që të merren vesh për postin e kryeministrit, e në rast se marrëveshja dështon, atëherë vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat duhet të mbahen 30 deri 45 ditë nga data e shpalljes së tyre. Kjo për faktin se AAK, Lëvizja Vetëvendosje dhe Nisma për Kosovën, e kanë mohuar fuqishëm hyrjen në qeveri me PDK-në e Hashim Thaçit.

 

L.V

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.