Nga Enver Hoxha tek Ahmed Zogu. Nuk kalon pa u vënë re pjesëmarrja e Edi Ramës në promovimin e librit për ish-Mbretin. PS: Asnjë fjalë në “Facebook”

Bedri Islami shkruan në “Dita” një shënim që lidhet me promovimin e librit të Blendi Fevizut për Ahmed Zogun, në Pallatin e Birgadave. Promovim ku mungoi vetëm Sali Berisha nga gjithë ekipi kryesor politik i Tiranës. Islami merret me rolin që kanë mediat në kurimin që i bëjnë imazhit të pushtetit, transformimi i tyre në mjete të pastra interesash biznesi, duke e kaluar rolin parësor që kanë kundrejt publikut, në plan të fundit. “Kthimi i shumë mediave drejt pushtetit nuk ka të bëjë me qeverisjen e mirë apo të keqe, as me reformat e as me vizionet që përcjell një qeveri. Ka të bëjë me pallatet e ngritura, edhe pa leje, ndaj shumë botues janë edhe ndërtues; ka të bëjë me financimet dhe reklamat, të cilat, ashtu si kanë rendur dikur drejt TV Klanit mund të rendin përsëri; ka të bëjë me heshtjen ndaj prapshtive të bëra dhe borxheve financiare, ndaj të cilave, së bashku, qeveria reagon butësisht, si një përkëdhelje e mbrëmjes”, shkruan Islami. Është fjala këtu për prezencën buzagaze të kryeministrit të vendit, që sipas gazetarit të “Dita” ka firmosur me pjesëmarrjen e tij, një marrëveshje dakordësie me median në fjalë. Por që ndoshta do mirëkuptuar, pasi në përpjekje për t’i ikur shikimit të Enver Hoxhës në tubimet ku ka edhe pensionistë, kryeministri, pa paragjykim, rendi që t’i bëjë qokën Ahmed Zogut. “Është një shenjë, po ashtu e mbrapshtë se, njerëzit e pushtetit po ngarendin më shumë drejt asaj që ishte e kundërta e tyre, duke harruar se në atë që është arritur nuk është vetëm mendimi i tyre, por edhe i një media të tërë që, duke i përkrahur, rrezikoi shumë e njëkohësisht humbi shumë. Pushtetmbajtësit po ngarendin drejt asaj që ka qenë e mbyllur dhe kundërshtare ndaj tyre, dhe, mjerisht, harrojnë ata që u bënë bartës të vlerave që mendonin se kishin sjellë me vete”, thotë Islami. E “çuditshme” ishte në fakt edhe se kryeministri nuk hodhi asgjë në “Facebook” nga pjesëmarrja në promovim, që duhet thënë se kishte rëndësinë e një ceremonie për nga mënyra sesi u organizua. Aq më tepër që kreu i qeverisë ka hapur para disa kohësh, po në FCB, edhe rubrikën “Photo of the day”, ku vendos fotografi të vetat, në punë e sipër për ndryshimin e këtij vendi.
s.z
Add new comment