Deputetët e Kosovës dhe Serbisë ulen në tryezën e bisedimeve, por nuk merren vesh për njohjen e shtetit të ri

Postuar në 07 Dhjetor, 2014 00:48

“Zëri i Amerikës” njofton se në një nga rastet e rralla, deputetët e parlamentit të Kosovës dhe ata të Serbisë, diskutuan në Prishtinë procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve. Në një tryezë të organizuar nga Këshilli për Qeverisje Gjithëpërfshirëse, ndonëse me qëndrime të kundërta sa i përket statusit të Kosovës, deputetët thanë se bisedimet ndërmjet kryeministrave në procesin e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, nuk janë të mjaftueshme për tejkalimin e dallimeve të thella ndërmjet të dyja palëve.

Ndërsa radio “Europa e Lirë” thotë se gjatë debatit të organizuar në Prishtinë nga Këshilli për Qeverisje Gjithëpërfshirëse është thënë se “Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet në kohën kur Serbia të njoh shtetin e Kosovës”. Sipas “Europa e Lirë” deputetët e të dyja vendeve kanë mbështetur dialogun dhe kanë kërkuar që edhe parlamentet të kenë rolin e vet në këtë proces. Por, pikëpamjet ishin të ndryshme tek çështja fondamentale, ajo e njohjes së Kosovës nga ana e Serbisë.

Pas një periudhe të gjatë të mos komunikimin, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë zhvillohet si në nivelin më të lartë politik ashtu edhe në atë të grupeve teknike të zbatimit të marrëveshjeve. Marrëveshja e 19 prillit e arritur në Bruksel ndërmjet Prishtinës e Beogradit, mbetet rezultati më i madh i këtij dialogu.

 

l.v

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.