Stavros Dhimas propozohet për president i Greqisë. Një emër i njohur edhe për shqiptarët

Koalicioni qeveritar në Greqi ka propozuar si kandidat për president nënkryetarin aktual të Demokracisë së Re, Stavros Dhimas. Kandidatura e tij u bë publike nga kryeministri Samaras pas konsultimeve me liderin e PASOK-ut, njëherësh zv/kryeministër dhe ministër i Jashtëm, Evangelos Venizelos.
Sipas kreut të qeverisë greke zgjedhja e Stavros Dimas në krye të shtetit grek do t’i japë fund destabilitetit politik që synon të krijojë opozita e SYRYZA-s dhe do të hapë një fazë të re për vendin. Ai do të jetë kandidatura e vetme, në tre raundet e votimit nëse do të kërkohet nga parlamenti.
Stavros Dhimas nuk është një emër i panjohur edhe për publikun shqiptar. Gjatë ushtrimit të detyrës si ministër i Jashtëm në qeverinë e Lukas Papadimos në vitin 2011, Dimas ka adresuar kritika ndaj Shqipërisë për dënimin e kreut të OMONIA-s në Korçë Naum Disho me akuzën e dhunimit të varreve në Boboshticë.
Ai e ka quajtur dënimin e Dishos një zhvillim të turpshëm për marrëdhëniet e minoritetit etnik grek me shtetin shqiptar, që sipas tij preku edhe marrëdhëniet mes dy vendeve.
Stavros Dimas ka shërbyer si ministër i Jashtëm I Greqisë në qeverinë e Lukas Papadimos në vitin 2011, por edhe më herët ka mbajtur poste të rëndësishme në qeveritë e Demokracisë së Re që prej vitit 1980.
Në mars të vitit 2004 u zgjodh si Komisioner i Bashkimit Europian për Zhvillimin dhe Çështjet Sociale dhe më pas në nëntor të po këtij viti shërbeu si Komisionier për Mjedisin. Nëse zgjidhet president ai do të zëvendësojë në këtë post presidentin Karolios Papulias.
l.m
Add new comment