Precedenti “Vito Kapo", qeveria komisione me nga 5 anëtarë për dekorime

“Gazeta Shqiptare”, shkruan sot se qeveria vendosi krijimin e një komisioni përgjegjës për shpërndarjen e medaljeve dhe dekoratave të nderit, pak ditë pas publikimit të lajmit për dekorimin e ish-anëtares së Komitetit Qendror të PPSH-së, Vito Kapos me “Medaljen e Mirënjohjes”. “Gazeta Shqiptare” shkruan se ky komision do të përbëhet nga 5 anëtarë, prej të cilëve 3 anëtarë duhet të jenë punonjës në varësi të autoritetit përgjegjës dhe 2 anëtarë personalitete të jashtëm, që përzgjidhen mes njerëzve të shquar dhe që kanë dhënë kontribut në fushën përkatëse”. Sipas vendimit, komisioni ngrihet, me urdhër të titullarit të autoritetit përgjegjës, çdo fillimviti kalendarik. Ndërsa, për vitin 2014, komisioni të ngrihet pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi. Ai do të funksionojë si organ kolegjial, vendimmarrës, pranë autoritetit përgjegjës për dhënien e medaljeve apo titujve vendorë të nderit. “Të gjitha propozimet për dhënien e medaljeve dhe titujve vendorë të nderit i dërgohen autoritetit përgjegjës për dhënien e tyre, i cili i përcjell për vlerësim në Komisionin Këshillimor”, thuhet në vendim. Më tej vendimi thotë se, “komisioni shpreh mendimin e vet edhe nëse nisma për dhënien e medaljeve ose titujve vendorë të nderit është ndërmarrë nga autoriteti përgjegjës për dhënien e tyre”.
L.V
Add new comment