Mos vallë trajneri i peshëngritjes do përzgjedhur me konkurs?

Postuar në 12 Dhjetor, 2014 08:41

Historia e dopingut dhe pjesëmarrjes së peshëngritësve tanë në botërorin e Kazakastanit i afrohet kufijve të qesharakes.  Dhe kjo qesharake zë fill që me shfaqjen publike të ministres së Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, që priti në aeroport kampionët. Ja çfarë tha asokohe ministrja: “Ndaj mirënjohja shkon për prindërit dhe Presidentin e Federatës Elez Gjoza. Ndaj mirënjohje edhe për trajnerët, si dhe për të madhin Luan Shabani”. Këtu nuk po zëmë në gojë premtimin për rilindjen e sportit. Mirëpo çfarë ndodh? Sot “Top-Channel” publikoi një intervistë me presidentin e Federatës, Elez Gjoza, që deklaroi se ka patur një marrëveshje me Luan Shabanin, i cili do të ishte edhe trajner i ekipit grek, por edhe trajner i ekipit shqiptar. Gjoza ecën më tej, kur shprehet se kishte marrë garanci nga Shabani edhe për çështjen e dopingut. “Në marrëveshje ne përfshimë edhe shëndetësinë, edhe traumat, edhe gjithë problemet që do të kishin sportistët. Trajneri Luan Shabani e miratoi dhe ra dakord që Qendra Sportive Shëndetësore e Qendrës Olimpike në Greqi do të ishte në dispozicion të ekipit kombëtar grek, njëkohësisht edhe të ekipit kombëtar shqiptar”, tha Gjoza. Paraprakisht duhet thënë se sipas TCh, si Pirro Dhima, ashtu edhe Luan Shabani, thuhet se kanë ndihmuar privatisht peshëngritësit shqiptarë dhe jo njëherë. Mirëpo skandali i dopingut, na nxjerrka një kleçkë të madhe këtu, që në kujton atë thënien latine: “Mos u besoni danajve edhe kur vijnë me dhurata”. Dhe befas këtu, për të përshtatur mesazhin e thënies me atë që pala shqiptare, e kapur gafil, na e tjerr tani si teori e orkestruar nga armiqtë e përhershëm të kombit tonë, na duhet ndoshta që për një moment të mendojmë se kemi pasur të bëjmë përherë me Leonidas Sabanis dhe Pirros Dimas. Dhe kjo po të lexojmë atë që shton Gjoza: “I kam thënë tekstualisht: E para, kontrollohen 3 sportistë grekë nën kujdesin tonë dhe nuk dalin pozitivë, kontrollohen 3 sportistë shqiptarë dhe dalin pozitivë. Kush është ai shtet që ka interes, që të na dëmtojë neve, siç janë dëmtuar edhe shumë shtete të tjera? Për mua, i dashur trajner, vendi që do të ishte xheloz për Shqipërinë është Greqia dhe këtë do t’ia lëmë të ardhmes”. Po TCh, këtu shton një detaj që vlen të mbahet parasysh: “Vihet theksi te sportistët grekë, të cilët vështirë të jenë kontrolluar, duke qenë se më i miri si për femra e meshkuj është renditur në vendin e 12-të. Një pozicion i tillë, pak ka lidhje me analizat, kur dihet se ato i bëhen sportistëve me përmirësime të dukshme dhe atyre të zonës së medaljes. Deri në përgjigjen e analizës B, pra për rreth 2 javë, teori të tilla konspirative do të dëgjojmë mjaft”. Çfarë mund t’i sugjerojmë ministres sonë që u lumturua në aeroport e që me siguri edhe këto xhevahire i ka marrë vesh sot nga TCH? Nuk ka çfarë të sugjerojmë, por thjesht që trajnerin e ekipit të peshëngritjes, këtej e tutje ta përzgjedhin me konkurs.

s.z  

Comments

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

<p>Ne fakt trajneri i peshengritjes duhet te propozohet nga Presidenti dhe me pelqimin e Qeverise te miratohet nga Parlamenti, por pasi te jete kthyer edhe Opozita.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.