Ndërmjetësimi për ngërçin politik në Tiranë. Eurodeputeti Knut Flenckeinstein optimist pas takimit me Bashën

Eurodeputeti Knut Flenckeinstein mbërriti të enjten në kryeqytetin shqiptar ku zhvilloi takime me kryeministrin dhe kreun e Kuvendit, ndërsa të premten u prit në selinë blu nga kreu i PD-së, në një përpjekje për të gjetur zgjidhje mes mazhorancës dhe opozitës. Pas tij do të vijë në Shqipëri edhe eurodeputeti Eduard Kukan, që do të jetë në Tiranë në 21-22 dhjetor. Në një deklaratë për shtyp nga eurodeputeti Kukan e Raportuesi Fleckenstein të dy ditëve më parë theksohet se vijnë në Shqipëri për një dialog politik mes mazhorancës dhe opozitës. Në deklaratë theksohet se, dialogu konstruktiv dhe i qëndrueshëm mes mazhorancës dhe opozitës, së bashku me debatet politike që duhet të ndodhin në parlament janë me rëndësi jetike për procesin e integrimit. Zyrtarët e BE-së inkurajojnë opozitën shqiptare të rikthehet në parlament, duke theksuar domosdoshmërinë e rivendosjes së dialogut politik në vend. Anëtarët e PE-së pritet t’i propozojnë Kuvendit që të hartojë një draft për dekriminalizimin e tij, i cili do të duhet të miratohet brenda gjashtë muajve të parë të vitit të ardhshëm. Ndërkohë kreu i PD-së, Basha nuk ka thënë qartë nëse opozita do të jetë në Kuvend javës tjetër apo jo, por ka deklaruar se vullneti i opozitës është të ecë përpara në një Kuvend të dekriminalizuar e ku sundon ligji.
l.v
Add new comment