Në rrezik investimet publike. Shkëlqim Cani: Situata do të ndryshojë, fondi i shpërblimeve të fundvitit nuk është marrë nga paratë e investimeve

Në një kronikë të “Vizion Plus”, thuhet se plani i realizimit të investimeve publike për këtë vit rrezikon të dështojë. Sipas burimeve në fjalë, një muaj para mbylljes së vitit, qeveria rezulton në mosrealizim të investimeve. Për “Vizion Plus” Cani tha: “Ishte vetë buxheti që u miratua me shumë vonesë, për arsye që tashmë janë dhënë. Së dyti ka një problem për investimet. Ishim mësuar me traditë gjithnjë që buxheti nuk realizohet dhe nuk fillonte kurrë para tremujorit të parë. Kështu që administrata e mësuar me këtë gjendje, kujtonte se do të ishte e njëjta histori. Kështu që filloi me vonesë. Pastaj filloi tempi i përshpejtimit dhe u bënë edhe investime. Ndërkohë u shlyen edhe detyrime”. Edhe pse duket e vështirë arritja e këtij objektivi vetëm brenda një muaji, Ministri i Financave Shkëlqim Cani tha për të njëjtin burim se situata do të ndryshojë. “Ne jemi në diskutime akoma. Ka nevojë rialokimi të investimeve apo jo, për arsye se ka një goxha ecuri të investimeve në nëntor-dhjetor. Pra, ne jemi në një fazë që duhet të bëjmë përmbyllje për të kuptuar më qartë nëse do të lind nevoja për rialokime apo do të realizohen investime aty ku janë”. Nga ana tjetër, Cani hodhi poshtë zërat se fondi i shpërblimeve të fundvitit është marrë nga paratë e investimeve publike.
l.v
Add new comment