Gazetat raportojnë për ballon presidenciale për bamirësi dhe ... sytë u mbeten tek të ftuarit e tek luksi i saj

Postuar në 21 Dhjetor, 2014 02:51

Është komentuar këto dy ditë një ballo që media e ka quajtur "presidenciale" e që vetë Presidenti e ka emërtuar "shqiptare" apo "bamirësie". Në fakt, bëhet fjalë për një ballo që organizohet për herë të dytë radhazi, me synimin për të rekuperuar - kështu është shprehur Presidenti në fjalën e vet - "një traditë që zë fill qysh nga vitet '930 në shtetin tonë". Në gjithë fjalën e tij, Presidenti e vuri theksin tek vlera të tilla, si besa, mikpritja, solidariteti, ndihma ndaj njerëzve në nevojë, etj. Mirëpo, një numër gazetash jo fort miqësore me institucionin e Presidensës, mes të cilave është dalluar Dita, Tema, kanë vërejtur një kontrast mes këtij mesazhi të fundit presidencial dhe luksit të të ftuarëve. Ka rënë në sy: 1. që kanë munguar mes të ftuarve personalitete politike e publike të lidhur me maxhorancën; dhe 2. që në ballo ka qenë e ftuar e tëra familja e Berishës (ky vetë me të shoqen, e bija me të shoqin dhe i biri me të fejuarën).

Presidenti i Republikës vlerësoi gjatë kësaj veprimtarie me Dekoratën “Nderi i Kombit”, Shaban Demirajn (pas vdekjes), Mirush Kabashi dhe Aurel Plasari; me titullin “Mjeshtër i Madh” Ismail Keta, ndërsa me titullin “Për merita të veçanta civile” zonjën Anila Godo. Gazetat, me ndonjë përjashtim,  nuk e kanë raportuar këtë fakt. Me sa duket, janë ndjellë nga përmasa "posh" e ngjarjes.

 

Re.Pu.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.