Do hapen dosjet? Qeveria ndryshon mendim. Zv.ministri i Brendshëm thotë se mund të hapen vetëm aktet administrative dhe platforma e Sigurimit

E mbani mend kryeministrin që fliste për hapje dosjesh nga BunkArti? Me siguri që ka qenë performim më shumë sesa deklarim, në përmbushje edhe të anës funksionale të re, që mori vendstrehimi i Shtabit të Përgjithshëm. Kjo pasi, nëse të gjithë shpresuan se do kishin mundësi të “shihnin të kaluarën”, atë që baballarët e kombit na e mbajnë larg syve, për të na ruajtur nga e keqja, do të duhet të zgjohen. Hapi i parë në këtë zhgjëndër ishte projektligji i qeverisë që deformonte tërësisht qëllimet dhe synimet e ligjit të propozuar nga shoqëria civile dhe dy deputetë. Hapi i dytë mund të thuhet se verifikohet sot, kur zv.ministri i Brendshëm, Ilir Mustafaraj, ka dhënë një intervistë-leksion për dosjet në gazetën “Shqip”. Zv. Ministri vë alarmin se me hapjen e dosjeve na u kërcënoka siguria. A thua jeta në Shqipëri, edhe për shkak të Ministrisë së Brendshme, është shumë e sigurtë dhe mos ta ngacmojmë përbindësishin që fle brenda dosjeve. Mustafaraj ka sqaruar me dijeninë e ekspertit se çfarë përmbahet në dosje dhe se, sipas tij, edhe në kuptim të praktikës ndërkombëtare, çfarë duhet hapur. Dhe kjo që duhet hapur, është, për talljen ndaj të gjithë njerëzve, platforma e Sigurimit, dekretet për punën e tij etj.. “Mund të hapen disa kategori dosjesh siç mund të jenë aktet administrative që rregullonin veprimtarinë e ish-Sigurimit(platforma e punës, dekrete, vendime qeverie, urdhëra dhe ushëzime të ministrit, analiza, studime, informacione të përgjithshme pa emra konkretë e shumë kategori si këto), pasi të deklasifikohen”, thotë zv.ministri. E thënë thjesht: zv.ministri propozon një lloj dokumentari shtetëror për Sigurimin, por jo Lustracion. Ose kryeministri është nxituar kur foli në BunkArtin e emocioneve, ose zv.ministri po përcjell një mendim më të ftohtë për këtë çështje.
s.z
Add new comment