Nasho Jorgaqi i përgjigjet Kadaresë: Ta njoh natyrën hakmarrëse, e prisja reagimin e egër. Epitetet nuk janë argumente. Kur këto mungojnë, tregojnë dobësi.

E përditshmja “Gazeta Shqiptare” ka botuar sot reagimin e shkrimtarit dhe studiuesit Nasho Jorgaqi, ndaj shkrimtarit të njohur Ismail Kadare. Ndër të tjera ai i drejtohet: “Ashtu si ti, edhe unë nuk po ta përmend emrin, por po të drejtohem siç ke nisur të paraqitesh kohët e fundit në kopertinat e librave, thjesht me mbiemrin. Kjo zgjedhje s’është formale, por lidhet me çka po ndodh me ty. Çuditërisht përkon dhe me një opinion të përhapur gjerësisht në publik, sipas të cilit po ndjehet një diferencë e dukshme midis peshës së emrit dhe peshës së mbiemrit, si dy komponentë jo të barasvlershëm. Deri vonë nuk më kishte shkuar mendja se një magjistar i fjalës do të vinte një ditë që për shkaqe të cilat do t’i shpjegoj më poshtë, do të kthehej në një akrobat të saj. Me këtë kam parasysh, midis të tjerash, shkrimin e ulët dhe përdhosës “Një ngjarje që mbaron me qen”, që më dërgoje si përgjigje tepër të vonuar të letrës sime të hapur”. Mes këtij reagimi të gjatë, Jorgaqi bën disa krahasime të cilat thumbojnë shkrimtarin e njohur Kadare, si kundërpërgjigje ndaj vetë këtij të fundit bërë mediatikisht në shtypin e shkruar. Më tej ai thotë se: “Ç’është e vërteta, megjithëse përgjigjen e mendimeve të mbrapshta dhe humorit tënd të zi ma kishte dhënë nëpërmjet shtypit tabori yt i pazhëve, prapë, duke ta njohur mirë natyrën hakmarrëse, e prisja reagimin tënd të egër, por kurrsesi deri në atë shkallë sa të më cilësoje çmendurisht budalla, Judë e spiun. Qesha, sigurisht, por qesha hidhur, sepse m’u kujtuan fjalët e Gëtes se “Epitetet nuk janë argumente. Kur këto mungojnë, tregojnë dobësi”.
l.v
http://www.balkanweb.com/site/letra-e-nasho-jorgaqit-pergjigje-rrefimit-me-qen-shkrimtarit-kadare/
Add new comment