Avokati që kërcënoi kryeministrin në “arrest shtëpiak”. Bashkim Hoxha i drejtohet Ramës: “Nëse më fal, jam burrë t'i kërkoj ndjesë për fjalët që kam thënë për familjen e tij”

“Gazeta Panorama” bën me dije në faqet e shtypit të sotëm se Gjykata e Apelit të Tiranës ka lënë të lirë avokatin Bashkim Hoxha, i akuzuar për kërcënimin me mesazhe telefonike ndaj Kryeministrit Edi Rama. Në një intervistë të dhënë për gazetën “Panorama”, pas 25 ditësh qëndrimi në qeli, Apeli ka ndryshuar masën e tij nga “arrest në burg” në “arrest shtëpiak”. Vendimi është argumentuar me mungesën e rrezikshmërisë së të dyshuarit dhe me probleme të tij shëndetësore. Sipas kësaj të përditshmeje, avokati Hoxha ka rrëfyer për herë të parë mesazhet e dërguara Kryeministrit më 29 nëntor dhe bisedën telefonike me të. Avokati i kërkon falje për fjalorin e përdorur prej tij, por nuk i kërkon ndjesë Kryeministrit. “Nëse ai më fal, unë jam burrë t’i kërkoj ndjesë për fjalët që kam thënë për familjen e tij”, shprehet avokati Bashkim Hoxha. Rreth tri javë më parë, avokati i arrestuar për kërcënimin e Kryeministrit Edi Rama rezultoi i dënuar në vitin 2010 me një gjobë 34 mijë lekë për shkelje të vendimit të gjykatës. Sipas akuzës, avokati Hoxha kishte thyer një urdhër mbrojtje të lëshuar nga gjykata për gruan e tij.
l.v
http://www.panorama.com.al/2014/12/26/kercenoi-kryeministrin-rama-ne-telefon-arrestohet-avokati/
Add new comment