Qeveria “shkrin” administratën e qarqeve?

Edmond Hoxhaj
Një shkresë përcjellëse e ministrit të Financës drejtuar 12 qarqeve të vendit pak ditë më parë, në të cilën udhëzohet mënyra e pagesës së personelit të administratës, pritet të sjellë shkrirjen apo ngrirjen e funksioneve të tyre, pasi pengon këshillat e qarqeve që të përdorin të ardhurat e veta vendore për të paguar rrogat e nëpunësve. Në këto kushte, kur në bazë të ligjit të ri për buxhetin qarqeve u duhet të bëjnë shkurtime drastike të personelit të administratës dhe në të njëjtën kohë duhet të shlyejnë pagesat përkatëse të gjithë atyre punonjësve që do të largohen, por që gëzojnë statusin e nëpunësit civil, tashmë me rekomandimin e ri, në mjaft prej qarqeve të vendit do të mbeten pa pagesë edhe të zgjedhurit. Ndërkohë, administratat prej tre apo katër nëpunësish do ta kenë të pamundur që pjesën tjetër të të ardhurave financiare ta kthejnë në investime apo shërbime për qytetarët.
Shkresa
Nga burime të gazetës pranë disa qarqeve të vendit mësohet se me anë të shkresës nr.18081 të datës 24.12.2014, ministri i Financave, z. Shkëlqim Cani, ka përcaktuar se i vetmi burim financimi për personelin e administratave të këshillave të qarqeve do të jetë transferta e pakushtëzuar, duke përjashtuar mundësinë që të përdoren edhe të ardhurat e siguruara prej tyre. “Në zbatim të nenit 15 të ligjit nr.160/2014, datë 27.11.2014, ‘Për buxhetin e vitit 2015”, këshillat e qarqeve përdorin deri në 15 për qind të transfertës së pakushtëzuar për koston e personelit administrativ. Transferta e pakushtëzuar është i vetmi burim financimi për personelin e administratës së këshillave të qarqeve. Në këto kushte duhet të merrni masat e nevojshme për shkurtimin e personelit tuaj administrativ në përputhje me kuotat e përcaktuara në ligjin e buxhetit të vitit 2015. Gjithashtu, në zbatim të kuadrit ligjor të sipërcituar, shpenzimet për paga dhe sigurime shoqërore për ndërmarrjet e rrugëve të këshillave të qarqeve duhet të jenë deri në 40 për qind të buxhetit vjetor të këtyre ndërmarrjeve”, thuhet në shkresën e firmosur nga ministri Cani.
Ligji
Në nenin 15 të ligjit nr. 160/2014, datë 27.11.2014, thuhet se “këshillat e qarqeve përdorin deri në 15 për qind të transfertës së pakushtëzuar për koston e personelit administrativ. Shpenzimet për paga dhe sigurime shoqërore për ndërmarrjet e rrugëve të këshillave të qarqeve duhet të jenë deri në 40 për qind të buxhetit vjetor të këtyre ndërmarrjeve”. Por në këtë nen nuk përcaktohet se burimi i vetëm i financimit të pagave të personelit është transferta e pakushtëzuar. Burime nga qarqe të ndryshme të vendit kanë pohuar se në ligj nuk përjashtohet mundësia e përdorjes së të ardhurave të veta për fondin e pagave të personelit të administratës, duke e cilësuar këtë rekomandim të ministrit Cani në kundërshtim me ligjin nr.160/2014 “Për buxhetin e vitit 2015” dhe me Kushtetutën.
Shkrirja e qarqeve
Burime nga disa prej qarqeve më të mëdha në vend, për të cilët janë akorduar edhe transferta të pakushtëzuara më të vogla se qarqet e tjera, kanë pohuar se nëse hartimi i buxhetit të tyre do të aplikohet bazuar në këtë shkresë të Ministrisë së Financave, atëherë do të pushojnë se funksionuari. Kjo, pasi sipas tyre, vetëm kushtëzimi i përcaktuar në ligjin “Për buxhetin e vitit 2015” që i lejon të përdorin vetëm deri në 15 për qind të transfertës së kushtëzuar për pagesat e personelit të administratës i imponon të kryejnë shkurtime drastike deri në 80 për qind të nëpunësve. Por në kushtet kur sipas këtij rekomandimi të mbërritur pak ditë më parë, nuk duhet të përdorin të ardhurat e veta vendore për pagesat e personelit të administratës, atëherë kjo e fundit nuk do të ekzistojë më, thonë burimet. Ato shtojnë se largimet nga puna do të sjellin për pasojë edhe nevojën e kompensimit financiar të punonjësve që gëzojnë statusin e nëpunësit civil, të cilët përbëjnë pjesën më të madhe të këtyre administratave. Në këtë rekomandim të Ministrisë së Financave nuk është shpjeguar se me çfarë pjese të të ardhurave do të duhet që qarku të shlyejë detyrimet financiare ndaj tyre. Burimet pohojnë se në këto kushte do të jetë e pamundur të paguhen edhe të zgjedhurit, e jo më ata pak punonjës të administratës që mund të mbeten. Gjithashtu, burimet nga këto qarqe pohojnë se administratat do të reduktohen deri në disa veta, në disa raste deri në tre apo katër punonjës. Ndërkohë që tre apo katër punonjës do ta kenë të pamundur të ofrojnë shërbimet e nevojshme për qytetarët, pohojnë burimet. Madje, edhe pjesa më e madhe e transfertës së pakushtëzuar, apo të ardhurat e tjera të veta vendore të siguruara prej vetë qarkut nuk do të mund të investohen në shërbim të komunitetit, duke sjellë për pasojë mosfunksionimin e tyre, pohojnë ato.
Grantet
Ndarja që Ministria e Financave u bëri transfertave të pakushtëzuara solli pakënaqësi në disa qarqe dhe te një pjesë e deputetëve të majtë. Kjo, pasi në disa qarqe me popullsi të madhe dhe me kontribute nga më të lartat në buxhetin e shtetit, si Tirana, Fieri, Vlora, e Durrësi, është akorduar një transfertë e pakushtëzuar me vlerë më të vogël se disa qarqe me popullsi disa herë më të vogël si Dibra, Kukësi, Lezha etj.
Reagimi
Ankesa e qarqeve, udhëzimi cenon autonominë, pengon decentralizimin
Disa prej drejtuesve të këshillave të qarqeve në vend e kanë cilësuar si një cenim të autonomisë financiare të pushtetit vendor rekomandimin e Ministrisë së Financave që ka përcaktuar si burim të vetëm financimi për pagat e personelit të administratës transfertën e pakushtëzuar. Sipas tyre, ky udhëzim i përcjellë më datë 24 dhjetor është në kundërshtim të plotë me ligjin nr.8652, datë 31.07.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”. Ata shtojnë se në pikën (d) të nenit 54 të këtij ligji thuhet se këshilli i qarkut “miraton strukturën organizative dhe rregulloret bazë të administratës së qarkut, të njësive e institucioneve buxhetore në varësi të qarkut, si dhe numrin e personelit të tyre, kërkesat për kualifikim, pagat dhe mënyrat e shpërblimit të punonjësve dhe të personave të tjerë të zgjedhur ose të emëruar në përputhje me legjislacionin në fuqi”. Por, sipas disa të zgjedhurve në qarqe të ndryshme të vendit, udhëzimi i ministrit Cani është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, pasi në ligjin 160/2014 “për buxhetin e vitit 2015”, nuk përjashtohet mundësia e financimit të pagesave të personelit të administratës nga të ardhura të veta të siguruara nga vetë qarku. Ata shtojnë se ky udhëzim cenon autonominë e pushtetit vendor për të ushtruar kompetencat dhe detyrat e tij dhe pengon procesin e decentralizimit. Ndërkohë, një tjetër fakt që kanë nxjerrë në pah këto burime është edhe kundërshtia e nismës për shkurtimin e administratave të qarqeve në një kohë kur mjaft prej strukturave janë ngritur me vendime të Këshillit të Ministrave të cilat janë ende në fuqi. Nëse do të ketë shkurtim të strukturave këto veprime imponohen të kryhen në kundërshtim me VKM-të në fuqi, theksojnë burimet.
"Shqip"
Add new comment