Kriza, sfidë për të majtën në Itali, Shqipëri, por ndoshta edhe në Greqi. Taksat? Me sa duket Italia është më keq, por ulet çmimi i energjisë dhe i gazit

Postuar në 30 Dhjetor, 2014 19:34

Në fund të konferencës së djeshme për shtyp në Tiranë, të dy kryeministrat, ai shqiptar dhe ai italian, Edi Rama dhe Matteo Renzi, u pyetën për akuzat që u bëhen se ndjekin politika të djathta, ndonëse përfaqësojnë parti të majta. Të dy u përgjigjën se kjo është e pavërtetë. Për Shqipërinë debati ka qenë shumë i nxehtë këto muaj dhe vetë qeveria përmes buxhetit 2015 deklaroi se ka rritje të 3 taksave, por edhe ulje të shumë të tjerave. Mirëpo problemi kryesor është te kostot që krijohen nga rritja e tarifës së energjisë, që prek masat më të mëdha, ndonëse edhe kompensimi është politikë e majtë. Nga ana tjetër në Shqipëri do të duhet parë edhe efekti i rritjes së taksës së qarkullimit si dhe efekti i akcizave.
Po në Itali si është gjendja?
Nëse i referohemi mediave problemi duket gati i papërballueshëm. “Taksa edhe mbi një gotë ujë që pimë”, shkruante në një artikull të vetin “Il Giornale” që i referohej analizave të prof. Giuseppe Savioli nga Rimini. Numërohen një seri taksash, por e thjeshtuar, një kontribues që paguhet 1300 euro/muaj, sipas “Il Giornale” do të duhet të zbrazë 1000 euro detyrime direkte dhe të tërthorta(http://www.ilgiornale.it/news/economia/tasse-anche-bicchiere...).
Dhe ishte pikërisht kjo gazetë që pak ditë më parë hapej me titullin se italianët po shkojnë në Shqipëri, sepse ka vetëm 15% taksa, fakt ky i reklamuar edhe nga kryeministri shqiptar.
Kur vjen puna te faturat e përditshme, duket se viti 2015 sjell lajme të mira për Italinë. Çmimi i gazit dhe i energjisë elektrike është lajmëruar se do të ulet në masën 3% për energjinë dhe 0.3% për gazin(http://www.today.it/economia/bollette-luce-gas-gennaio-2015....). Vihet re pra ngjashmëria e problemeve që në kohë krize kanë zgjidhje të kufizuara. Në planin e gjerë politik, me interes është edhe sesi do të sillet eventualisht një qeveri e drejtuar nga radikalët e majtë të Syrizas në Greqi, vend që është në krizë shumë të thellë. Sifda për të majtën zyrtare bëhet kështu thelbësore në këto kohë në të trija vendet, fqinje dhe me marrëdhënie të ngushta ekonomike, të cilat përballen edhe me nevojën e stabilizimit social.
s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.