Romë, takimi i parë tripalësh Itali-Shqipëri-Serbi për nxitjen e projekteve rajonale dhe luftën kundër terrorizmit

Në Romë u zhvillua sot takimi i parë tripalësh mes Ministrave të Punëve të Jashtme të Italisë, Paolo Gentiloni, Shqipërisë, Ditmir Bushati dhe Serbisë, Ivica Dacic. Në njoftimin për mediat nga zyra e shtypit e MPJ-së sqarohet se “qëllimi i këtij takimi ishte bashkëpunimi konkret e me interes tripalësh në fushat e luftës kundër terrorizmit, energjisë, transportit dhe infrastrukturës; trajtimi i çështjeve të perspektivës së përbashkët evropiane dhe zhvillimit të vendeve të rajonit nëpërmjet nxitjes së projekteve rajonale; forcimi i sigurisë në rajon nëpërmjet bashkëpunimit dhe ndërveprimit me institucionet evropiane dhe euroatlantike; bashkëpunimi rajonal dhe karakteri gjithëpërfshirës i tij”. Një nga pikat kryesore që u trajtuan në këtë takim ishin sfidat dhe proceset e përbashkëta euro integruese të Shqipërisë dhe Serbisë si dhe të gjithë rajonit të Ballkanit, me synim për të koordinuar hapat drejt hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe vijimit të procesit për Serbinë, me mbështetjen e Italisë dhe në një përqasje rajonale në kuadër të procesit të Berlinit. Ky takim tripalësh vjen si rrjedhojë e natyrshme dhe dinamike mbështetëse e vetë Procesit të Berlinit, të iniciuar vitin e kaluar nën kujdesin e Kancelares Merkel. Gjatë takimit u nënvizua rëndësia e një angazhimi aktiv të Italisë në rajon, si katalizatore për krijimin e një klime konstruktive dhe promovimit të bashkëpunimit rajonal.
l.v
Add new comment