Presidenti egjiptian El-Sisi për “Der Spiegel”: “Po të mos ndërhynte ushtria do kishin vdekur me qindra mijëra, në mos miliona njerëz”

Presidenti egjiptian, Abdel Fattah el-Sisi, i ka dhënë një intervistë revistës gjermane “Der Spiegel” përmes së cilës jep një gjykim për situatën e vendit të tij dhe sidomos për nxjerrjen nga skena të Vëllazërisë Myslimane dhe kreut të saj, Mohammed Morsi. El-Sissi është i drejtpërdrejtë edhe pse në disa përgjigje nuk heziton të shfaqet formal dhe demagog. Ai është pyetur për përdorimin e armëve ndaj protestuesve, për rrëzimin e Morsit dhe për rrezikun islamik. Po japim një pjesë nga intervista:
SPIEGEL: Ju erdhët në këtë detyrë si pasojë e një grushti shteti. Kështu e quajmë ne kur një president i zgjedhur në mënyrë demokratike...rrëzohet me forcë
Sisi: Karakterizimi që ju i bëni situatës nuk është i qartë dhe për rrjedhojë edhe kuptimi i saj prej jush, është i pasaktë. Jumi gjykoni përvojat tona nga optika juaj e favorshme kulturore, qytetërimore dhe zhvillimore dhe ju nuk mund të dilni nga ky kontekst. Por ju duhet të kuptoni se çfarë ndodhi në Egjipt në dritën e rrethanave, sfidave dhe kërcënimeve që i kanoseshin Egjiptit.
Spiegel: E keni fjalën për islamizimin në rritje që po ndodhte përmes Vëllazërisë Myslimane dhe ish-presidentit Morsi?
Sisi: Atë që ju e quani si grusht shtetit ishte revolucioni jonë i dytë. Çfarë do të ndodhte nëse gjysma e popullsisë së Gjermanisë, Francës, apo Britanisë do të lëshohej rrugëve për të protestuar dhe kërkuar rrëzimin e qeverisë? Nëse këto qeveri do të planifikonin përdorimin e forcës dhe pastaj ndërhyrja nuk do të ndodhte...
SPIEGEL: …ju po thoni përmes ushtrisë …
Sisi: … atëherë edhe këto vende do të rrëshqisnin në luftë civile. Nëse ne nuk do të ndërhynim, nuk do të përmbushnim përgjegjësitë tona historike dhe morale.
SPIEGEL: Ju u ndjetë i thirrur nga populli?
Sisi: Edhe sikur vetëm 1 milion njerëz të demonstrojnë në rrugë kundër atij që qeveris, ai duhet të largohet. Por në rajonin tonë, kjo ende nuk ka zënë vend në ndërgjegjen e atyre që qeverisin.
SPIEGEL: Në vend që të parandalonit një luftë civile përmes dorëheqjes së Morsit, ju e provokuat atë. Me qindra vdiqën dhe më shumë akoma u arrestuan.
Sisi: Jo. Dhe jo. Me qindra njerëz nuk kishin pse të vdisnin. Unë prekem edhe nga humbja e një jete të vetme. Gjithsesi, më lejoni që ta shtroj këtë në një kontekst të ndryshëm. Vetëm hidhini një sy shkallës së humbjeve të jetëve njerëzore përgjatë 10 viteve të fundit në Irak, Siri, Libi dhe në Jemen. Popullsia e Egjiptit është gati e barabartë me popullsinë e këtyre vendeve të marra bashkë. Nëse do të shikoni sesa njerëz kanë vdekur, do të kuptoni se ushtria e mbrojti popullin egjiptian.
SPIEGEL: Pra po thoni se Egjipti do të ndiqte rrugën e Sirisë dhe të Irakut nëse ushtria nuk do të ndërhynte?
Sisi: Nëse ushtria nuk do të ndërhynte, qindra mijëra, në mos miliona do të kishin vdekur.
SPIEGEL: Ajo që ndodhi në sheshin “Rabba” ishte një masakër në të cilën të paktën 650 mbështetës së Morsit u vranë nga forcat e sigurisë. Këto ngjarje përfaqësojnë një abuzim me pushtetin.
Sisi: E përsëris se ju po na gjykoni mbi bazën e e kritereve tuaja. Numri i viktimave në Rabba do të kishte qe ë 10 herë më i lartë nëse njerëzit do të suleshin drejt sheshit. Dhe egjiptianët ishin përgatitur për ta bërë një gjë të tillë. Bllokimi i sheshit(sit-ins) ishte lejuar të vazhdonte për 45 ditë dhe njerëzit duhej të shikonin sesi një nga sheshet kryesore në kryeqytetin tonë ishte totalisht i paralizuar. Ne u bëmë thirrje në mënyrë të përsëritur protestuesve që të largoheshin paqësisht. A do të lejohej një gjë e tillë në vendin tuaj?
SPIEGEL: Policia jonë nuk do të hapte zjarr. E shumta do të përdornin gaz lotësjellës dhe pompa uji. Dhe në vendin tonë, ministri i Brendshëm do të dorëhiqej pas një masakre si ajo e Rabbas.
Sisi: Nuk ndihem i turpëruar që të pranoj se ka një distancë qytetërimore mes nesh dhe ju. Policia dhe njerëzit në Gjermani janë të civilizuar dhe kanë sensin e përgjegjësisë. Policët gjermanë janë të pajisur me logjistikën më të fundit dhe kanë trajnimin më të mirë. Por në vendin tuaj protestuesit nuk do të përdornin armë duke shënjestruar policinë...
http://www.spiegel.de/international/world/islamic-state-egyp...
s.z
Add new comment