Konsensus për koncesionin e parkingjeve publike në Tiranë. Shtyrja vetëm për ndryshimin e termave; kohëzgjatja dhe mospërfshirja në të edhe të lagjeve të kryeqytetit

Postuar në 13 Shkurt, 2015 07:49

Dy partitë kryesore në vend, përfshi edhe LSI-në janë dakord për dhënien me koncesion të parkingjeve publike në Tiranë. Diferencat mes tyre janë thjesht teknike. Kështu ka ndodhur edhe në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak të Tiranës kur projektvendimi për koncesionin në fjalë u shty për javën e ardhshme. Arsyeja është se këshilltarët e PS-së kanë kërkuar ndryshimin e termave të koncesionit. “Kërkuam shtyrjen e miratimit të aktit, në mënyrë që bashkia të rishikojë aktin, pasi nuk ishim dakord me shtrirjen në kohë dhe në hapësirë të koncesionit. Pra të mos jetë për 35 vjet dhe të mos shtrihet brenda lagjeve. Besoj se do ta rishikojnë”, i tha “ResPublica” këshilltari socialist Eridian Salianji. Thënë ndryshe dy partitë që i shohim përditë të akuzojnë njëra-tjetrën për krime dhe monstruozitete nga më të larmishmet, dinë se kur duhet të bien dakord. Salianji nuk përjashtoi që parimisht të prezantohen edhe firma të tjera, duke lënë të kuptohet se tanimë ka firma që janë shfaqur si të interesuara për këtë koncesion. “Lapsi.al” shkruan se janë dy firma deri më tani: “Speed Taxi” dhe “ABT”, që sipas këtij portali kanë një ortak të përbashkët. “Në ekstraktet e QKR rezulton se ai është Shpresim Bajraktari. Në Speed Taxi është administrator dhe ortak me 92 % të aksioneve, ndërsa në ABT është aksioner me 70 % të kapitalit”, shkruan “Lapsi.al”.
s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.