Shënim: Skenarit të vrasjes i mungon një PSE...

Postuar në 04 Mars, 2015 11:37

Qysh kur deputeti Tom Doshi hodhi në qarkullim tezën se atë janë përpjekur ta vrasin, opinioni publik dhe media janë vendosur nën një presion të jashtëzakonshëm që vjen nga deklaratat e pandërprera, hamendësimet e pafundme si dhe nga loja politike që po tirret me këtë çështje. Po përfliten si regjisorë të vrasjes Ilir Meta, në heshtje apo me pëlqimin e Edi Ramës, në neglizhencë të plotë të Adriatik Llallës dhe Saimir Tahirit. Shërbimi Informativ duket sikur po sheh punët e veta, aq sa në një studio televizive, një gazetar deklaroi se ishte ai që kishte marrë vesh i pari projekt atentatin. Në këtë pikë ka një moment që duhet ndalur, pasi u përsërit edhe dje në dy studio televizive: gazetari A. Hoxha deklaroi herën e parë në “Opinion” se ishte ai që e kishte lajmëruar Doshin, kur kishte marrë vesh “gjatë investigimit tim për vrasjen e Artan Santos” se “të njëjtët persona që u paguan për të vrarë Santon, do të vrisnin edhe Doshin”. Ndërkohë që dje, në një studio televizive, nga një gazetar tjetër u bë pohimi se “pak kohë pasi ishte vrarë Artan Santo, në makinën e deputeti Doshi u vu eksploziv”. Në dritën e akuzës së përhapur gjerësisht se pas përpjekjes për vrasjen e Doshit qëndron si porositës kryesor Ilir Meta, ky raportim ngjarjesh, priret të implikojë autorësi të njëjtë edhe për vrasjen e bankierit Santo. Pse duhet që koha e ngjarjeve të vihet në këtë lloj lidhjeje që ngjan si shkakësore? Por këto janë deduksione dhe hipoteza që janë shpërndarë në rrëketë e informimit mediatik, për shkak se prokuroria nuk ka folur. Gjithsesi do duhet shtuar se sot, përmes ministrit Tahiri, sikurse më herët përmes Ilir Metës, në skenë ka dalë si i akuzuar tjetër nga Doshi, por pa u artikuluar prej tij vetë, edhe kunati i Berishës, Agim Ramaj, Agron Kuliçi etj.. Nëse për një moment do të pranojmë të dy skenarët si të vërtetë, duhet të pranojmë se kemi të bëjmë me komplote shumë të thellë dhe me natyrë destabilizuese. Të tillë, që për vetë përfshirjen e supozuar nga “viktima”, nuk ka shumë gjasa që të zbulohen rastësisht, në rrugë e sipër të një investigimi gazetaresk. Ka pak gjasa që kjo të ndodhë. Por në themel të të gjithë këtij kurthi deklaratash dhe qëndrimesh, askush, as ministri, as vetë Tom Doshi nuk thonë se PSE ka patur, një përpjekje për likujdimin e deputetit në fjalë dhe kolegut të tij Mhill Fufi. Çfarë konflikti ka, ose dyshon se ka Doshi me Ilir Metën, saqë ky të projektojë vrasjen e tij? Po ministri dhe kryeministri a e kanë pyetur deputetin se për çfarë dyshonte ai në motivet e atentatit, edhe kur sipas variantit tjetër, autorësinë ia mvishte kunatit të Berishës? Është pyetja kyç kjo, që i jep fund rrahjes në hava të një vrasjeje në tentativë që po shkon drejt banalizimit në trajtimin e vet. Në çdo rast, ai që është shënjestër e ndien dhe e di se për cilat arsye kthehet i tillë. Meqenëse kemi të bëjmë me njerëz me përgjegjësi publike, është mirë që edhe këto dyshime të ndahen me publikun.
s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.