Nishani, indiferent ndaj “skenarit” për vrasjen e dy deputetëve dhe pretendimeve se është cenuar siguria kombëtare

Postuar në 11 Mars, 2015 09:49

Presidentin Nishani e kemi parë aktiv dhe të ndjeshëm në çështje jo vetëm të karakterit politik që  kanë të bëjnë me cenimin e kompetencave të tij kushtetuese, por edhe me probleme të natyrës sociale dhe sferës globale në përgjithësi. Pak ditë më parë ai u shpreh publikisht në mbështetje të grevës së disa studentëve që u transferuan nga universitetet private në fakultetet e Universitetit të Mjekësisë, duke i pritur në zyrën e tij.  Në Janar Presidenti thirri Këshillin e Sigurisë pas sulmit terrorist  në revistën Charlie Hebdo, duke bërë apel për një angazhim të përbashkët të institucioneve në luftën kundër terrorizmit, një takim që u mirëprit nga klasa politike dhe që mori komente pozitive edhe në shtyp. Kreu i shtetit megjithatë vijon të jetë indiferent ndaj zhvillimeve të fundit që gjithsesi lidhen me sigurinë kombëtare. Akuzat e Tom Doshit  ndaj kryetarit të kuvendit Ilir Meta për porositjen prej tij të vrasjes së dy deputetëve  kanë ngarkuar së tepërmi klimën politike në vend me akuza dhe kundërakuza, për të cilat prokuroria ka nisur një hetim intensiv. Para organit të akuzës janë paraqitur drejtuesit më të lartë të qeverisë dhe parlamentit, ministra dhe ish-kryeministri i vendit. Aktiv ka qenë edhe Komisioni i Sigurisë Kombëtare me kryetarin Spartak Braho që ka qenë në dijeni të akuzave. Nuk ka qëndruar indiferent as faktori ndërkombëtar. Brukseli përmes një eurodeputeti ka propozuar një hetim ndërkombëtar përë këtë çështje, ndërsa ambasada amerikane ka reaguar ashpër duke qenë e drejtëpërdrejtë me udhëheqësit politikë, të cilëve u ka kërkuar të largojnë personat e inkriminuar nga radhët e partive. Nga ana tjetër opozita ka thirrur një protestë që e paralelizon me 20 shkurtin e vitit 1991, e megjithatë presidenti nuk ka shprehur asnjë qëndrim lidhur me këtë situatë që edhe mund të precipitojë. Presidenti e ka parë të arsyeshme në këtë situatë të vizitojë Katarin, ku ka diskutuar për rritjen e investimeve të vendit arabik në Shqipëri, duke mos harruar falënderimet për ndihmën e dhënë nga Emiri i Katarit për përmbytjet në jug të vendit.

l.m

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.