Nëse Bordi i Paqes ndihmon ta shkundë OKB, Zoti e bekoftë

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në mbledhjen e parë të Bordit të Paqes në Uashington, se Shqipëria është shumë e nderuar të jetë në këtë organizatë. Duke marrë fjalën në mbledhjen inauguruese të kësaj strukture të re ndërkombëtare, e krijuar për të adresuar situatën në Rripin e Gazës, kryeministri Rama falënderoi Presidentin Trump që ftoi Shqipërinë në këtë udhëtim. Kryeministri u ndal tek zërat që thonë se organizata është ngritur për të zëvendësuar OKB-në.
Shumë thonë se Bordi i Paqes synon të zëvendësojë Kombet e Bashkuara por mua nuk më duket si një përpjekje për të zëvendësuar OKB-në, por nëse ndihmon ta shkundë atë gjigand në agoni dhe dashtë Zoti, ta zgjojë, atëherë, Zoti e bekoftë Bordin e Paqes
deklaroi kryeministri shqiptar.
Rama iu referua votimit në unanimitet në Kuvend të rezolutës për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes.
Vota plotësisht e harmonizuar dypartiake që parlamenti ynë pati në mbështetje të kësaj nisme, flet vetë për sa e nderuar ndihet Shqipëria që është një prej anëtareve themeluese e kësaj organizate të re
u shpreh Rama.
Mbledhja inauguruese e Bordit të Paqes po zhvillohet në ambientet e Institutit Amerikan të Paqes “Donald J. Trump”, në Uashington D.C., nën drejtimin e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, me pjesëmarrjen e liderëve nga vende të ndryshme të botës.
Burimi: ATSH

Add new comment