Prokuroria kërkon arrestimin e deputetëve Tom Doshi e Mark Frroku. Akuza: “Kallëzim i rremë"

Prokuroria e Përgjithshme kërkon autorizimin nga Kuvendi i Shqipërisë për arrestimin e deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku. Në kërkesën që Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, i dërgon Kuvendit të Shqipërisë, sqarohen argumentet kundër dy deputetëve. Sipas kërkesës, Prokuroria për Krime të Rënda, më datë 03.03.2015, ka regjistruar kryesisht procedimin penal për veprën “Vrasja e funksionareve publike” mbetur në tentativë, të parashikuar nga neni 79/a – 22 i Kodit Penal, në bazë të deklarimeve të deputetit Tom Doshi, i cili ka deklaruar publikisht se ai dispononte prova, sipas të cilave, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, kishte paguar vrasës me pagesë për të eleminuar fizikisht atë dhe një deputet tjetër. Dy deputetët janë të dyshuar për konsumimin e elementëve të veprave penale; “Kallzimi i rremë”, “Kanosja për deklarime a dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë”, dhe “Deklaratat e rreme përpara Prokurorit”, parashikuar nga neni 305, 312/a dhe 305/a të Kodit Penal. Prokuroria për Krime të Rënda, pasi ka arritur në konkluzionin se ngjarja është inskenuar nga ana e shtetasve Tom Doshi dhe Mark Frroku, ia ka kaluar hetimin për kompetencë Prokurorisë së Përgjithshme, e cila ka tagrin ligjor për hetimin e zyrtarëve me funksion “deputet”.
Add new comment