Progresi i vaksinave prodhon marrëveshje të reja

Fillimisht koronavirusi dhe më pas vaksina kundër tij vijojnë të ndryshojnë raportet mes vendeve. Aleanca të reja po formësojnë atë që është cilësuar si gjeopolitika e vaksinave.
Edhe rruga drejt rimëkëmbjes po diktohet pikërisht nga vaksinimi. Si një nga vendet që ka përparuar më shumë në procesin e vaksinimit, Izraeli ka nënshkruar dy marrëveshje me të cilat synon të lehtësojë turizmin.
Izraeli dhe Qipro njoftuan një marrëveshje turizmi të dielën për të lejuar qytetarët të cilët janë vaksinuar kundër koronavirusit, të udhëtojnë midis vendeve pa pasur nevojë për karantinë.
Marrëveshja mes dy vendeve mesdhetare është një hap drejt rivendosjes së industrive të tyre të turizmit, të cilat janë goditur rëndë nga pandemia gati një vjeçare. Të dy vendet kanë sektorë të mëdhenj të turizmit.
Javën e kaluar, Izraeli arriti një marrëveshje të ngjashme me Greqinë.
"Kjo hap mundësinë e rifillimit të turizmit në të ardhmen e afërt. Turistët qipriotë në Izrael dhe turistët izraelitë në Qipro", tha kryeministri Benjamin Netanyahu.
Presidenti i Qipros, Nicos Anastasiades, tha se marrëveshja pritet të hyjë në fuqi më 1 prill.
Anastasiades gjithashtu tha se ai ishte "shumë i interesuar" për të marrë më shumë detaje rreth një trajtimi të mundshëm Covid-19 që po zhvillohej nga spitali Ichilov i Izraelit dhe tha se Qipro do të marrë pjesë në testet e ardhshme klinike.
Add new comment