Duke normalizuar ….

Postuar në 29 Mars, 2012 02:01
Eda Derhemi

Një të hëne para pak javësh, një lajm për Sirinë hapej kështu: “Pas një fundjave të qetë me rreth 50 të vrarë, luftimet rinisën sot në mëngjes në lagjen Bab Amr të qytetit Homs.” Nuk ishte ironia e hidhur e tipit “Asgjë të re nga fronti X”; ishte një fjali e parë, thënë natyrshëm e seriozisht, gati me një farë çlirimi që fundjava kish shkuar qetë, që pasohej nga një lajm po aq objektivisht përshkrues dhe jo-ironik. Kur e lexoja, në kokë më binin këmbanat e normalizimit të vdekjes, më të pamëshirshmes vrastareje të jetës. Ashtu si normalizojmë vdekjen fatkeqe të të afërmit, sepse na duhet të vazhdojmë të jetojmë, ashtu, ne njerëzit që nxitojmë, normalizojmë pa i dhënë fort rëndësi, edhe vdekjen që ka fajtor të kontrollueshëm dhe që vret me ndërgjegje. Ashtu normalizojmë edhe luftërat, normalizojmë vrasësit e hajdutët, normalizojmë çmenduritë sociale të individëve apo grupeve, normalizojmë politikanët hileqarë e të korruptuar, dhe, për të keqen tonë, i hapim udhë së keqes duke e bërë atë normale. Sa njerëz me pozita drejtuese në Shqipëri, janë përfolur për korrupsion, e sa të tjerë janë kapur në veprime korruptive e sipër, dhe asgjë s’ka ndodhur?! Pse? Se i themi vetes se s’ka Zot ta kontrollojë korrupsionin tek ne… atëherë më mirë të përfitosh ç’mundesh prej tij, se të bëhesh qesharak duke kërkuar ta luftosh! A i bihet murit me kokë?! Sa njerëz zhduken, vriten dhe “aksidentohen” në rrugë të shkreta nëpër Shqipëri, dhe ne pranojmë heshtazi krimin e faktin e zhdukjes me justifikimin se “nuk të zhduk kush pa arsye”! Nuk mund të kish ndodhur diku tjetër (as edhe në Ballkan) që pas një Gërdeci, përgjegjësit, jo veç të dilnin pa lagur, por edhe të bënin një lëvizje nderuese, nga një pozicion prestigjioz, në një edhe më të dëshiruar! Se, helbete, gjynah: ç’lidhje kishte ministri në zyrë në Tiranë, me pakujdesitë e katundarëve të Gërdecit! Nuk mund të mos dihet se si zhduken apo shpërdorohen shuma kolosale në një rrugë që kishte gjithë vëmendjen, fuqinë dhe kontrollin e qeverisë! Por vjedhja e parave normalizohet nëse themi: këtu s’e merr vesh i pari të dytin, dhe ndoshta të gjithë kanë vjedhur nga pak, ndoshta askush! Pajtohemi me krimet kryer më protestat e 21 janarit duke i normalizuar ato si  ngjarje ku të gjitha palët ishin të fëlliqura, e madje lajmë duart me një  “ç’ju desh atyre që dolën në bulevard!” Sado që të përpiqesh për të kundërtën, sheh paradë shëmtie të normalizuar. Mendoni se heqja e imunitetit deputetëve e zyrtarëve të lartë, do mund të çnormalizojë korrupsionin dhe mospërgjegjshmërinë zyrtare, që ne si shoqëri e kemi normalizuar në tipar kulturor kombëtar të spikatur?

E kryejmë normalizimin e diskursit dominant pa e ditur, dhe e kemi të vështirë të realizojmë të kundërtën apo qenien e alternativave ndaj asaj çka kemi tani; dominantja na duket e përhershme, pa datë lindjeje a vdekjeje, natyrale, e dëshirueshme, pra normale. Edhe grupet e interesuara për normalizimin e frymës dominante që i mban në pozitë dominuese, nuk janë domosdo në kontroll të këtij procesi që vetëm konspirativ dhe i organizuar nuk është; nuk është, as po ai grup konkret, as po ata komponentë. Grupi dominues ndryshon vazhdimisht, rifreskohet, dobësohet, ringjallet, por është gjithnjë ai që ka interes të kontrollojë shoqërinë (me disa elementë të rinj që kacavirren lart në të, dhe disa që bien e humbasin), dhe ia del paq nëpërmjet normalizimit, aktorët kryesorë të të cilit jemi ne të gjithë. Diskurset institucionale e dominante janë gjithnjë të normalizuara. Ky është kontrolli më efikas, më pa harxhe e më jetëgjatë që mund t’i bëhet shoqërisë, me masha gati të padukshme. Kulturën, moralin e rregullat dominante të shoqërisë nuk i merr kush në pyetje e as i vë njeri në dyshim, se përndryshe do ishim të çmendur, apo jo?! Gjuha, më shumë se çdo faktor tjetër i padukshëm, mund të luajë rol normalizues.  Një analizë e shkurtër kritike që i bëja para një muaji pasthirrmës “Përshëndetje!” në hapje të një mesazhi të shkruar, u vu në kryq, nga po ata njerëz në kurriz të të cilëve një përdorim i tillë ndërton diskurse përjashtuese; jo sepse janë injorantë apo mendjetrashë, por sepse përdorimi i një fjale të normalizuar dhe ideologjisë po aq të normalizuar që ajo përçon, nuk mund të diskutohen, të dyshohen e as të analizohen. Përndryshe, ç’kuptim do kish fuqia kontrolluese që bart normalizimi?! Viktimat e normalizimit që janë po ashtu edhe aktorët-pësues që kryejnë normalizimin, janë të parët që do bien therror për ta përjetësuar atë gjendje, kur e nëse dikush guxon t’u prekë status quonë a asaj që e kanë pranuar një herë e që e quajnë normale. Pak rëndësi ka se kultura e normalizuar funksionon kundër tyre. Ndaj kontrolli që i bëhet shoqërisë nëpërmjet normalizimit është i plotë, i pavarur, perpetual. Është vështirë ta ndërpresësh e ta thyesh. Përpjekja për çnormalizim gjithnjë kryqëzohet si e paarsyeshme, e çmendur, dashakeqe.

A ka faktorë specialë që ndihmojnë normalizimin?

Ka! Padija është një i tillë (faktor pasiv); padija dhe mungesa e ndjesisë aktive se mund të jetë edhe ndryshe nga sa apo çfarë dimë. Isha e bindur dhe e përcillja artikulueshëm e kudo bindjen time për mirëtrajtimin e fëmijëve nëpër shkollat amerikane. Është për të ardhur keq që nuk e dija se 20 nga 50 shtetet amerikane (sidomos në Jug të ShBA-ve) e njohin si të ligjshëm ndëshkimin trupor të fëmijëve që thyejnë rregullat. E mësova rastësisht para pak ditësh nga një reportazh i thelluar në NPR. Padyshim, mosnjohja më lejonte ta normalizoja një rregull a kulturë që e konsideroj primitive, duke e fshehur atë pas së mirës, duke e maskuar apo injoruar. Mediat dhe sistemi i edukimit kanë rol e detyrë çnormalizuese, si dhe gjithë fuqinë e duhur që të luftojnë padijen normalizuese.

Futja nën sqetullën e të fuqishmit është një tjetër faktor i tillë (faktor aktiv) normalizues. Pranimi, pëlqimi ose qoftë edhe vetëm njohja nga “i fuqishmi”, ka funksionuar gjithnjë për legjitimimin (dhe normalizimin) e një dukurie, personi, apo politike. Kujtoni tri vizitat e fundit simbolike të tre prej figurave më të diskutuara të politikës sonë, në tempullin e politikës në Washington: së pari, Lulzim Basha, më pas, Kreshnik Spahiu dhe, së fundi, Edi Rama, si tre dhëndurrë mes krushqish. Të gjithë janë përpjekur ta ndërtojnë vizitën e vet si më të veçantën, më të suksesshmen e sidomos më të përfillurën prej palës që vizitohet për t’i marrë asaj bekimin si dhëndrri i preferuar. Por pavarësisht se sa e besueshme ose jo ka qenë performanca e tyre, dhe sa e ka jehuar ose jo shtypi ynë atë, thjesht ‘prekja prej perëndisë’ ka qenë e mjaftueshme për normalizimin e gjithë figurave të mësipërme dhe diskurseve që ata përçojnë, sado luhatje apo pëshpëritje mosaprovuese të ketë pasur politika shqiptare rreth tyre para asaj vizite. Pas ritualit normalizues, dyshimet e ngrekryet parriten, e mund të vazhdojmë të gjithë së toku të luajmë politikë si më parë, politikë si gjithnjë; gjërat nuk duken keq; nuk ka krizë apo ngecje; personazhet e luhatura i ka cikur fuqia; janë tani të rehabilituara, të pranuara e të pranueshme, … normale. Edhe dikça tjetër: normalizimi në këtë formë, vetëm ngase iu nënshtruan atij, i bën ata njëlloj me njëri-tjetrin në shumë drejtimë, gjë për të cilën ata mund të mos jenë hiç të interesuar.

Elementi i ri e modern, si moshë, mendësi apo shkollim (apo edhe vetëm i perceptuar si i tillë), që futet në vazhdën e politikës së vjetër, ka aftësinë e potencialin, ta ndryshojë atë; por në rastin kur zgjedh të mos reagojë, normalizon në fakt politikën e vjetër. Shpesh më ka bërë përshtypje reagimi normalizues i Pollos apo Bashës kur, gjendur përballë kamerave e krah kryeministrit në një nga çastet e tij të përçartjes e mllefit të pakontrolluar për kundërshtarët, mes stërklash pështyme, urrejtjeje e gjuhe herë të padenjë e herë të pakuptim, ulin kryet e bëjnë sikur po lexojnë apo shkruajnë diçka. U takon atyre të ngrihen e ta lenë vetëm përpëlitësin absurd që çbën edhe politikën më arrogante. (Naive ideja ime? Jo aspak. Thjesht njerëzore.) Shpërthimet e kryeministrit janë nga ato dukuri që bëjnë të turpërohen çdo njeri normal veç zonjës Topalli, por ama janë të normalizuara nga shoqëria dhe politika jonë: kryeministri vazhdon të jetë në të njëjtin funksion, të ndiqet nga plot shqiptarë, të justifikohet për çka thotë a bën. Një nga arsyet është edhe se veglat e normalizimit si Pollo e Basha, mbajnë sytë ulur e nuk bëzajnë, kur tamam prej tyre, për shumë arsye, pritej e kundërta; dinjitetin, si dhe mendjen çnormalizuese, ua kontrollon një tjetër forcë.

Dhe së fundi, mediat, sido që mund të luanin rolin e kundërt përmendur më lart, mund edhe të jenë ndër faktorët më të fuqishëm në procesin e normalizimit (si faktor aktiv); tek ne janë të tillë, sidomos shtypi dhe televizioni. Ato kanë fuqinë dhe aftësinë që të thyejnë zinxhirin e normalizimit, por shpesh zgjedhin konformizëm dhe ruajtjen e solidaritetit institucional. Në frymën e normalizuar, ky qëndrim quhet edhe “profesionalizëm”. Dhe, mediat që më shumë vetë-reklamohen si objektive, të drejta e të balancuara, janë ato më normalizueset e frymës dominante apo të status quo-së. Më bënë përshtypje para do kohe dy shkrime njëri pas tjetrit të Henri Çilit: njëri “Pse e do më tej pushtetin Sali Berisha?” dhe tjetri, “A mund të mbrohet sot Ilir Meta?” I kam lexuar disa herë duke kërkuar në to tendencën për analizë që çon përpara shoqërinë, dhe që çnormalizon dy figura kaq të bëra pis të politikës shqiptare. Unë si qytetare këtë pres nga një njeri a gazetar me eksperiencë, i majtë a i djathtë qoftë. Edhe titujt, më shtynin të prisja dy shkrime kritike e çnormalizuese të mendësive dominante. Por në fakt gjeta se shkrimet ndërtojnë duke doktoruar, imazhin e dy personazheve, në mos pozitivë, të denjë e normalë, të pranueshëm e shëndetplotë në politikë: në rastin e Sali Berishës, si burrë i madh shteti në saje të rolit të vazhdueshëm dominant dhe kontrollit të gjatë në politikën shqiptare, si edhe si “protagonist … të hapave të mëdhenj të Shqipërisë drejt një vendi të ri, të lirë dhe të prosperuar”; në rastin e Ilir Metës, si “politikan ambicioz, rezistent dhe pragmatist” të këtij vendi, të cilit njerëzia nuk mund e as duhet t’i kërkojë dinjitet apo integritet moral, se ai “nuk është as kryebektashiu, e as kryepeshkopi i Shqipërisë”. Shkrimi për Berishën, paçka se normalizues, ka koherencë logjike e formale; ndërsa shkrimi i dytë, vuan nga përdorimi i të njëjtave argumente, si për të rehabilituar imazhin e Metës si burrë politik, ashtu edhe për të nënvizuar dobësitë e tij. Dëmi që Berisha i ka bërë shoqërisë e demokracisë shqiptare dhe kriminaliteti i Metës (me apo pa mandatin e një drejtësie e sistemi gjyqësor herë të korruptuar e herë të paaftë), bëhen krejt të padukshëm në fund të shkrimeve, kur për secilën prej dy figurave, ofrohen edhe mundësi të reja (një rikuptimësim të fuqishëm e pozant të veprimtarive politike), nëse do duan të mbijetojnë e të mbeten në skenën e politikës shqiptare. Duket sikur Çili t’i ketë vënë vetes detyrën që të gjejë rrugë e mundësi t’i mbajë në lojë me çdo kusht kartat e djegura (por edhe që kanë djegur e djegin shoqërinë tonë) të politikës shqiptare. Apo njerëzit që janë në krye të institucioneve (çfarëdolloj institucionesh), e normalizojnë sistemin për hir të obsesionit me të? Ndoshta është në natyrën e species e unë aludoj kot për qëndrim të rreptë etik nga gjithëformuesit e opinionit.

Radikalizimi i pikëpamjeve tona po normalizohet me vijueshmëri të frikshme. Në mos qofshim ende shoqëri bigote, mund të bëhemi. Blogu “Peizazhe të fjalës” bënte këto ditë pjesën e vet çnormalizuese, duke sjellë në vëmendje, dalldinë tonë dominante pro ekstremizmave ideologjikë të llojeve të ndryshme, që nga dashuria e vonuar me “Mein Kampf”, deri tek marria totalitare me flamur, e AKZ-së. Ndoshta është tani ora që secili në profesionin e vet, në kokën e vet, në shtëpinë e vet, në rrugën e vet, në qytetin e vet, të çnormalizojë. “Tundu!” thoshte gjyshja ime kolonjare kur donte të të thoshte se kish ardhur koha të bëje diçka që s’e kishe bërë më parë, atëherë kur duhej ta bëje.… kish ardhur momenti që moslëvizja nuk qe më as e pranueshme dhe as e mundur. “Luj venit!” thoshte nona ime tiranase! “Soul searching” (hulumtim e hetim i secilit brenda shpirtit të vet)—u  rekomandonte Obama gjithë amerikanëve para pak ditësh, për të ndryshuar gjendjen dhe çnormmalizuar një kulturë të keqe. Ndoshta edhe për ne fillimi i çnormalizimit të shumë të këqijave është tek kërkimi brenda vetes, marrja në pyetje e asaj që besojmë, e asaj që mendojmë, dyshimi tek e përhershmja e tek normalja. Tundu, pra! Luj venit!... se vendi ku jemi mban erë!

Comments

Submitted by Dori (not verified) on

"Ngrehu! se vajti dielli në drekë." thoshte gjyshja ime labe!

Submitted by Zapbone (not verified) on

Shkrim shume i bukur. Te lumte dora.

Manipulimi i shoqerise ne kete fare derexheje sigurisht qe ka pasojat e veta dhe me kryesorja jane humbja e vlerave. Historia njerzore e njeh manipulimin dhe njerzimi ka ecur e eshte zhvilluar krah per krah me te keqen sozine e tij , surrogatin brenda tij qe, ne situata e rrethana te ndryshme nxjerr koke, dhe per momentin manipulon realitetin, por jo ta dominoje dhe dirigjoje realitetin ne kete lloj formati si te ne. Jeta jone udhehiqet e eshte e dominuar nga surrogati genjeshtar, nga te manipuluarit dhe manipuluesit, e demi eshte kolateral, e jeten tone nuk e udheheq e verteta; por genjeshtra, trukimi, mashtrimi, manipulimi duke kercyer ne ritmin e fanfarave te muzikes qe prodhojne manipuluesit e ´´Animal Farm´´.

Submitted by Agim Shkodra (not verified) on

Pse? Se i themi vetes se s’ka Zot ta kontrollojë korrupsionin tek ne… atëherë më mirë të përfitosh ç’mundesh prej tij, se të bëhesh qesharak duke kërkuar ta luftosh! A i bihet murit me kokë?

Nje gje mund ta bejme.Mund te zgjohemi nga gjumi letargjik qe na ka zene.

Ata na thone qe eshte e pamundur,e veshtire,e tmerrshme ,e bezdishme,budallallek,marrezi,idiotsi, te zgjohesh.

Por ne e kemi mundesine per ta bere kete gje.

Duhet ne radhe te pare te zgjohemi per te LUAJTUR NGA VENDI,per T'U TUNDUR.

Njerezit e lire formojne nje bashkesi,jo sklleverit.

Erresira nuk largohet me fshese,por duhet ndezur drita,sepse kur ndizet drita e vetedijes erresira zhduket.

Submitted by Arra gunge (not verified) on

Si kushdo edhe une ne femijerine e delire kam luajtur gjithfare lojrash pa e ditur e pa u bere kurioz pse e si i benim ato, kush na i mesonte dhe cfare kishin ne nenshtresen e tyre. Helbete, si femije ...Sot, sec me ka 'pickuar' z. Derhemi, per t'i pare si i rritur:

Loja e pare; " E ka, kush e ka ! ". Nje loje me te ngecur! Sterviteshim per te rritur aftesite reaguese e zhderrvjelltesuese per t'ja ngecur njeri-tjetrin ate ' e ke'. Ke ? Ate 'e ka, kush e ka', qe une sot e shoh 'mizen ne kesule', 'fajin', 'pergjegjesine'...A nuk po lozim dhe sot kete loje ne perditshmeri ?!

Loja e dyte; " Kukafshehti! ". Nje loje qe te pergatiste se si te fshiheshe sa me mire per te mos te zbuluar kundershtari, ne cdo menyre, duke u maskuar, duke u bre njesh me balten madje duke u futur dhe poshte tumaneve te nenemadhes. Pra jemi trajnuar mrekullisht per t'i shpetuar cdo lloj 'zbulimi'...edhe atij te drejtesise.

Loja e trete; "Luftrash!". Kur grindjet faminore vetjake apo grupore arrinin kulmin se 'kush kishter me shume komce me kater vrima' ja nisnim kesaj loje. Vetem kjo 'beteje' luftrash do te percaktonte kush ishte fituesi, edhe pse ne perfundim mund te ndaheshim dhe me te qara, dhe me xhunga nga koka apo me gjake nga gjunjet. Boll qe te fitonim, si dhe tani...

Mos valle femijeria dhe 'lodrat' e saj kane ndikuar ne pergatitjen tone sociopsikologjike te tanishme?!...Po mundohem te ckokoleps lemshin...

Dhe nje te fundit, qe nuk eshte loje, per mediat nga femijeria, edhe pse nuk kishin kete emer 'te bukur' ; Kur kundershtonim prinderit apo shoqshoqin per ndonje gje 'te sferes se larte' ata na e kthenin shkurt, fare shkurt saqe 'soba' i nxente kollaj :' E tha radio, e tha televizori, e shkroi gazeta, etj', tamam sikur te thone sot ' e tha hoxha, e tha prifti, e tha Berisha, e tha Rama, e tha Fevziu, e tha Balla'...Dhe apriori bindeshim, beheshim qengja...Geeek!!!...Mos po vazhdojme si at'here femije?...Ne 'anestezi' kolektive na eshte kthyer pushteti i katert, si sherbim shendetesor paresor falas...

Me keto simptoma, bujku thote:' Qilizem! Toka do qilizem me plug tresh!'...Kudo..."Pyllin' e shohim qe e mbyten ' ferrishtet'...po le t'ja nisim me 'pemen' tone...Na iken vitet duke dorovitur 'nusen'...anipse ajo martohet ghithheret...jo vetem nje e dy... e me pas haeng...haeng...haeng e dorovi dhe per sazet e djersen e tyre...

Keto 'lodra' femijet e sotem nuk i dine te gjithe, te rriturit po 'i luajne' ne vend te tyre, madje me me shume finese...dhe ne duartrokasim pellembet deri ne skuqje si tifoze ultras...

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.