Ai është 'njeriu mbi kalë'

Postuar në 26 Tetor, 2012 15:03
Edvin Kukunja

Ka një paradigmë që e përshkruan shumë qartë groteskun e politikës shqiptare të këtij 20 vjeçari të fundit, një periudhë që çuditërisht nuk lodhemi së quajturi “e tranzicionit politik”. Paradigma është e thjeshtë dhe shumë e përfolur. Me sa duket, në përfytyrimin e politikanit mediokër shqiptar, çështja politike reduktohet në marrjen e pushtetit si qëllim në vetvehte.
Sipas kësaj paradigme, mjafton të hipësh në kalë dhe nga ai moment e vetmja gjë që ka rëndësi është vënia e makinës shtetërore në funksion të pushtetit, një pushtet personal i cili i përgjigjet tekave dhe vullnetit të një grushti individësh. Ky vullnet politik nuk ka nevojë të ketë program, sepse nuk i nevojitet vizion, duke qenë se mungon në të çfarëdolloj interesi ndaj së nesërmes, përtej të ndejturit mbi kalë të megalomanit të rradhës.
Si rrjedhojë, strategjia politike në kësi rastesh mund të përmblidhet në disa, për të mos thënë në dy pika kyçe. E para, duhen lekë, fonde të panumërta për të vënë në lëvizje mekanizma elektoralë të cilët, kjo është dhe pika e dytë, kanë si të vetmin qëllim dhunimin e vullnetit të votuesit.
Në këtë kuadër, fitorja duket e thjeshtë. Mjafton të bësh aleancat e duhura për këtë qëllim, pa ndonjë reflektim të veçantë mbi përmbajtjet programatike dhe vizionin politik, duke anashkaluar në këtë mënyrë të shpresuarën aleancë. Atë me shqiptarin, një aleancë e cila arrihet vetëm nëpërmjet dialogut me të, duke i prekur dhe duke i dhënë zgjidhje bashkë me të, problemeve jetike të shoqërisë tonë.
Çfarë nënkupton kjo aleancë me mua, me ty, me të gjithë ne? Nxjerrja e shqiptarit nga ajo gjendje “minorance”, nga ajo situatë plogështie politike, shndërrimi i tij në një protagonist të vërtetë, jo vetëm në momentin e dhënies së votës, por më gjerësisht, edhe në implementimin e një programi politik, ekonomik dhe social për të ardhmen e tij.
Ky duket të jetë thelbi i strategjisë të propozuar së fundmi nga Partia Socialiste. Tejkalimi i këtij modeli dështak nëpërmjet rilindjes të shqiptarit me një dimension të plotë të qytetarisë së tij.
Përçimi i mesazhit politik nëpërmjet një strukture kapilare që e sheh individin aty ku jeton, pra në familje, në lagje, në shkollë, në punë dhe në qytetin e tij si qenie politike. Si i tillë, i aftë për të qenë aktiv, duke fituar mbi plogështinë dhe frikën, pa ia mohuar nevojat jetësore dhe problemet lidhur me to, por duke u dhënë zgjidhje bashkë me to.
Në disa shkrime së fundi, theksi është vënë tek nevoja për ta çliruar politikën nga të qenurit vetëm produkt mediatik dhe politikanin si produkt të salloneve mediatike. Kjo do të thotë që debati politik duhet të zhvillohet duke nisur pikërisht prej dhe nga buron, dmth nga individi i marrë parasysh në të gjitha dimensionet dhe rolet që ai mban në këtë shoqëri.
Pra politika duhe t'i flasë studentit me gjuhën e studentit, po ashtu pensionistëve, punëtorëve, fshatarëve, mjekëve, mësuesëve, shtëpiakeve dhe të papunëve. Përjashtuar këtu foshnjet dhe nxënësit e shkollave nëntëvjeçare, objekt i feticizmit politik të Kryeministrit tonë kohët e fundit.
Nëse nga njëra anë kemi tentativën e një “vetëvrasjeje politike”, e cila nuk do të mbetet thjesht një tentativë, nga ana tjetër kemi një ofertë për ta tejçuar debatin politik nga dimensioni cinik dhe kundërshtues a priori, pa asnjë argument dhe thjesht me shpifje, në një dimension etik ku rëndësi ka përmbajtja dhe zgjidhja.
Ne, si shoqëri, kemi nevojë të dëgjojmë dhe të debatojmë për problemet tona. Askush nuk mund ta mohojë oreksin që kjo shoqëri ka për të dëgjuar alternativa të mirëfillta politike, alternativa që i japin zgjidhje problemeve ekonomike dhe sociale.
Dhe ky është një terren, terreni i politikës që merret me njeriun dhe zgjidhjen e problemeve që ai ka, i panjohur për Kryeministrin tonë. Terreni i tij i zakonshëm është ai i fitoreve që fitohen me harbutëri, ku tjetri është asgjëja që duhet të përkulet, dhe i cili nuk mund të ketë zë, kërkesa apo, dhe për më tepër, një vullnet politik të tijin.
Ai është njeriu mbi kalë, por që prej tij do të zbresë shumë shpejt. Dhe jo ashtu siç do të kish dashur ai: me dhunë dhe vëllavrasje. Ai do të zbresë nga kali i detyruar nga forca dhe vullneti i shqiptarëve, falë votës së tyre.
Berisha përballë një alternative politike të vërtetë, të një strategjie në shërbim të tejçimit masiv të një oferte politike, është si ai mbreti i përrallës, thjesht lakuriq. Por ndryshe nga ai, ky mbreti ynë e di këtë gjë dhe ndaj dita-ditës bëhet edhe më agresiv.
Agresiviteti i tij nuk duhet të trembë. Përkundrazi! Çdo forcë opozitare, çdo opozitar duhet të shtrëngojë rradhët dhe të flasë e të dëgjojë kë ka më afër. Vetëm kështu do të mund të mposhtet frika dhe plogështia, të fitohet liria nga nevoja që ndrydh sepse e pazgjidhur ende.
Ky është mesazhi kryesor i strategjisë të Partisë Socialiste. Në 2013 nuk do të humbë Berisha dhe do të fitojë Rama. Nuk është vetëm kaq. Në 2013 do të humbë frika, pamundësia dhe do të fitojnë shqiptarët. Kjo është një fitore e pashmangshme.
Të rrënqethin deklaratat e fundit të Kryeministrit, deklarata si grahma përpara rënies nga kali, në të cilat ai “fton” qytetarin shqiptar të mos merret me politikë,por përkundrazi, ta përbuzë atë si të ish mëkat apo diçka që nuk i përket atij. Kjo është qartë dhe dukshëm strategjia e vetme që i mbetet një politikani që ka dështuar në misionin e tij politik.
 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.