Bezdia nga fuqia e imazhit

Ndodh në fare pak raste, kur imazhi i kryeministrit Rama, nuk shfaqet në ndonjërin prej edicioneve të lajmeve. Në fakt, ka fare edhe më pak raste, kur imazhi i kryeministrit Rama nuk shfaqet në më pak se dy herë në edicione lajmesh. Njësoj si Berisha, paraardhësi i tij, ai është në konferenca, ai është në vizita, ai është kudo, në kuadrin e një dite 24-orëshe. Duket sikur e vetmja punë e tij është të dalë në ekranin e vogël. Dhe më shumë akoma, ai është prezent sistematikisht në rrjetet sociale, ku lajmëron çdo aktivitet dhe rëndom i përgjigjet Berishës. Pyetja që i lind një shqiptari të zakonshëm është fare e thjeshtë: kur arrin të punojë kryeministri ynë? Kuptohet nëse e thua këtë, atëherë shpura e tij, stafi dhe adhuruesit mund të ta përveshin paq: S’është puna jote dhe plas, sepse ai kohë për të gjitha! Dhe, është e vërtetë. Ai ka kohë! Falë fuqisë së imazhit, që sot realizohet lehtë përmes teknologjisë, kryeministri është kudo e në të gjitha mediat njëherazi. Madje, e ke të vështirë të këqyrësh edhe një media t’vetme online, ku kryeministri të mos të dalë kudo përpara në 2-3 dritare. Ai të flet për rendin, energjinë, taksat dhe kulturën etj., etj. Ai flet e flet. Shtuar me retushimet dhe me mjeshtrat e kamerave, ai t’eklipson tashmë me gjuhën e trupit dhe me retorikën e pafund. Si ai, t’veshur këndshëm, t’kuruar, e t’artikuluar bukur, shfaqen ministrat. Edhe pse shpesh e kanë frikë hijen e Njëshit. Dhe, njerëzit, në dhomat e tyre shtangen në pritje për të parë realisht ndryshimin që Rama flet, pasi megjithë uljet e premtuara, paguan kudo më shumë, jeton më varfër dhe është njësoj si më parë i pasigurt. Përmes imazhit, Rama dhe i gjithë stafi i ministrave të vet, janë aq sfidues dhe aq të sigurt, saqë ti e ke të vështirë edhe të bësh oponencë edhe pse e di mirë që shumë gjëra s’janë ashtu! Bota virtuale, krijuar nga ky imazh, por më shumë artikulimet plot patos të tij t’bëjnë me dije se jetojmë në një vend, ku mbi 90% e qytetarëve paguajnë më pak. Ndërsa, realiteti të thotë se INSTAT-i shprehet për rënie të konsumit, vendi ka shkuar drejt spirales së deflacionit, shqiptarët në fund të vitit të shkuar s’morën jo vetëm rrogën e 13, por as edhe shpërblime tamam.
Megjithatë historia humane ka treguar se fuqia e imazhit ia del dhe këtu. Përmes tollovisë së krijuar, nga daljet e tij, njerëzit bëjnë sikur ngopen me lugën bosh. Nëse më parë fuqinë e kishte e folura direkt para publikut, më vonë e mori fuqinë letra dhe ajo që artikuloje, sot imazhi të mposht. Kjo e Ramës shpërndan retorikë dhe përgjumje për publikun. Në një farë mënyre, jo vetëm tek ne, shoqëria sa më shumë avancon po shkon pas në atë që quhet krijimi i miteve t’reja. Që do të thotë prodhimi i personazheve që s’ekzistojnë realisht. Ndjekja e tyre shpesh të përcjell në një botë të paqenë, ku t’i kërkon të dyluftosh me mullijtë e erës. Ose me ata të panjohurit që Don Kishoti i kërkonte me kot para vetes. Kështu po ndodh me ne.
Të gjithë e dinë, por sërish e ndjekim të detyruar retorikën e Ramës, që jo pak herë, me daljet e shumta të krijon jo vetëm bezdi por edhe pashpresë. I tillë është pushteti i tij, që ai e përdor edhe prej fuqisë së madhe dhe verbuese të imazhit t’boshtë.
Add new comment