Fundi i pashallarëve të PS dhe basti i Ramës

Katër muaj para zgjedhjeve lokale, pa ndonjë arsye bindëse dhe në braktisje të detyrës, dorëheqja e kryebashkiaku të Pogradecit, Artan Shkëmbi u lexua si një shembull që duhet të ndiqet nga kryetarë të tjerë bashkish socialiste, që Edi Rama ka vendosur të mos i rikandidojë më në 21 qershor.
Në rastin e Shkëmbit, skenari dhe vendi i zgjedhur, selia e PS dhe jo Bashkia e Pogradecit, ishin menduar shumë trashë, sepse i tillë duhej të ishte edhe mesazhi tek kryebashkiakët e Vlorës, Gjirokastrës, Beratit, Fierit dhe ndoshta Elbasanit.
Edhe pse pa mëdyshje për fuqinë financiare dhe elektorale të Shpëtim Gjikës, Fadil Nasufit, Flamur Bimes, Baftjar Zeqos apo qindra komunarëve që “digjen” nga ndarja e re, kryeministri ka sfiduar realitetin e provincave shqiptare, duke vënë në bast rezultatin e zgjedhjeve vendore. Ata nuk do të rikandidohen më nga PS.
Por siç ka ndodhur në zgjedhjet e 2007 dhe 2011, ata do të përdorin presionin se do të hyjnë në garën e 21 qershorit si kandidatë të pavarur apo të mbështetur nga parti të vogla.
Me tarafet dhe nderet që kanë bërë në 10 vite, këta kryebashkiakë përfshijnë një rreth jo të vogël votuesish që mund të prishin punë, aq më tepër kur aksionet e energjisë dhe ndërtimeve pa leje kanë shtuar rezervuarin e të pakënaqurve.
Përballë kësaj rezistence, kryeministri si nxënës i shkëlqyer i shkollës “qëllimi justifikon mjetin”, po i detyron edhe me të kaluarën e tyre, të japin dorëheqjen për t’i zhveshur nga çdo pushtet që mund ta përdorin kundër PS në zgjedhje. Po i nxjerr edhe publikisht që të deklarojnë se e bëjnë këtë me dëshirë dhe si qengja të urtë, të shkojnë deri aty sa të kthehen në komisionerë të thjeshtë për PS-në në zgjedhje.
Fati i tyre politik është vulosur tashmë me një fund pa lavdi, por të merituar, pasi edhe bilanci i mandateve të tyre apo presioni që ata po bëjnë për rikandidime ose pazare të tjera i tillë është.
Për ndryshimin e njerëzve në krye të qyteteve, Rama s’e ka keq, sepse më e pakta janë këta kryebashkiakë që i shndërruan qytetet në fjetina gjigante. Pashallarët e vegjël, që vetëm të tillë s’ishin, duket se nuk kanë më çfarë të japin për qytetet dhe qytetarët që u kanë dhënë atyre nga tri mandate ose 12 vite të gjata në krye të feudeve.
Pjesa më e ndriçuar dhe e palidhur me interesa e votuesve në Vlorë, Fier, Berat e Gjirokastër kanë kohë që e kanë humbur besimin te këto figura, por tradita e kalcifikuar politike dhe migrimi masiv drejt Tiranës i kanë ndihmuar të dalin fitues në tri zgjedhje rresht.
Pastrimi që po bën Rama është vetëm i dobishëm dhe pakkush mund të mërzitet për trazimin e ujërave.
Ajo që nuk duket e tillë është procesi i përzgjedhjes së emrave të rinj, të cilët me pushtetin që do të kenë, kanë nisur të quhen “guvernatorët” e 61 bashkive shqiptare. Shumë deputetë, duke parë pushtetin real që do të kenë kryebashkiakët pas 21 qershorit, janë gati të lënë mandatet për të konkurruar.
Të njëjtën lëvizje propozonte me të drejtë dhe Mero Baze në “Tema”, sepse kandidimi i figurave të rëndësishme nga të dy kampet në qytetet e mëdha, do të ngrejë njëherazi nivelin politik dhe kapacitetet njerëzore të tyre.
Por, a po e bën Rama këtë?
A nuk janë Majko dhe Blushi, me përvojën që kanë, kandidatë të pëlqyer për garën e Tiranës? Po Fino, Klosi, Balla, Braçe, a nuk kanë përvojën e duhur politike për qytetet e tjera të dorës së parë?
A do t’i përzgjedhë Rama si kandidatë? Gjasat janë që jo! Historia e tij e shkurtër në krye të ekzekutivit tregon se kjo shkon kundër filozofisë së tij politike. E kishte në dorë ta bënte me qeverinë dhe nuk e bëri. Në vend të përvojës së tyre, zgjodhi ata që solli vetë në PS pas 2005-ës.
Rama ka një rast të mirë për të shfryrë pakënaqësitë e figurave kryesore të PS në grupin parlamentar, të cilët që dje filluan të ngrenë zërin për procesin e errët të përzgjedhjes së kandidatëve.
Atë që s’bëri me qeverinë, kur la jashtë figurat kryesore të PS, mund ta ndryshojë tani. Por kryeministri duket se do t’i qëndrojë besnik parimit se, me të rinj dhe të bindur mund ta bëjë vetë edhe kryebashkiakun e Shqipërisë.
Basti i radhës së kryeministrit sipas stilit “të gjitha ose asgjë” mund ta nxjerrë fitues me kryebashkiakët në ikje, por me këtë parim, më 21 qershor “thikat” e senatorëve të PS do t’i ketë pas shpine.
"Mapo"
Comments
Ky nuk eshte bast. Eshte
<p>Ky nuk eshte bast. Eshte oreksi normal i cdo politikani, e sidomos ketyre ballkanikve, per pushtet te palimituar. Rama do zarat e tij ne cdo cep. Te shohim cdo na thote Muci qe kishte shume frike "regjimin" e Berishes por oreksin e Rames deri tani e ka konsideruar normal. </p><p>Ah po, mandatet duhen limituar. Po duhen limituar nga pikat me te rendesishme te sistemit, te kryeministri dhe kryetari i partive, dhe pastaj me keta pashallaret lokal. </p>
Ku rrijne shqiptart pa
<p>Ku rrijne shqiptart pa pashallar? Jane mesue 500 vjet rresht me pashallar, bile edhe kur pashallart shqiptar u bane "atdhetar" dhe shpallen "pamvarsine" formale nga Turqia.</p>
Add new comment