Për kufijtë e hapësirave detare me Italinë

Njoftimet e fundit nga Vlora dhe Ngushtica e Otrantos sjellin sërish në vëmendje të drejtat sovrane të shtetit shqiptar në hapësirat e veta detare. Fjala është për ndalimin ditët e fundit prej autoriteteve shqiptare të anijes së peshkimit “Cobra III” dhe katër peshkatarëve italianë që duket se po peshkonin në mënyrë të paligjshme brenda detit territorial të Republikës së Shqipërisë. Ndërkohë që shtypi shqiptar e ka injoruar këtë ngjarje, njoftimi është dhënë menjëherë nga shtypi i vendit fqinj. Ato japin emrat e kapitenit dhe të ekuipazhit, dhe njoftojnë se pranë autoriteteve shqiptare është paraqitur Konsulli Italian në Vlorë për t’u interesuar për çështjen. Presidenti i Rajonit Puglia dhe disa përfaqësues politikë të “Forza Italia” kanë kërkuar lirimin e peshkatarëve, duke pretenduar madje se anija e peshkimit kishte hyrë në detin territorial shqiptar për arsye “avarie”.
Ky incident, në dukje i vogël, ngërthen probleme që mbulohen nga dy fusha të specializuara të së drejtës ndërkombëtare: e drejta ndërkombëtare publike e detit, dhe e drejta ndërkombëtare private e detit. E para merret me të drejtat, detyrimet dhe marrëdhëniet e subjekteve sovrane dhe aktorëve publikë në lëmin e së drejtës detare. Në rastin konkret, këtu bëhet fjala për të drejtat dhe detyrimet që Republika e Shqipërisë, si vend bregdetar, ushtro në brezin prej 12 miljesh të Detit të vet Territorial, si dhe në Zonën e Puqur (Contiguous Zone) dhe në Zonën Ekskluzive Ekonomike.
Brenda kufirit të Detit Territorial vendi ushtron sovranitet të plotë, d.m.th. ligjet e tij në tokê zbatohen përgjithësisht edhe në këtë hapësirë detare. Sikurse dihet, përtej kufirit të Detit Territorial kanë zanafillën Zona e Puqur ku të drejtat sovrane të shtetit ushtrohen vetëm në fushën e doganës, fiskale, të shëndetit publik dhe emigracionit, dhe Zona Ekskluzive Ekonomike, me regjim juridik sui generis, ku përfshihen të drejtat për shfrytëzimin e burimeve natyrore, të gjalla ose jo, etj.
Në fushën e së drejtës së detit Shqipëria ka lidhur me Italinë vetëm Marrëveshjen e Delimitimit të Shelfit Kontinental, marrëveshje mjaft e mirë, që mbështetet kryesisht në mesoren e baraslarguar nga brigjet përkatëse. Megjithatë, ajo në mënyrë eksplicite përjashton përcaktimin e regjimit juridik të shtyllës apo masës ujore dhe hapësirën ajrore përkatëse përmbi kufirin e përcaktuar në shelfin kontinental. [Neni 3 i Marrëveshjes së Delimitimit të Shelfit Kontinental Itali – Shqipëri, 1992]. Pala italiane nuk ka pranuar të lidhë me asnjë nga shtetet e kësaj ane të Adriatikut apo Jonit një marrëveshje të plotë, që të përfshijë delimitimin e të gjitha hapësirave detare [all-purpose boundary]. Arësyeja është e thjeshtë. Si njëfarë “superfuqie” rajonale në fushën e peshkimit, Roma ka dashur të mbrojë me cdo kusht interesat e flotave të peshkimit të bregdetit të vet adriatikas, të cilat nuk e kanë për gjë të kapërcejnë mesin e Adriatikut, dhe të peshkojnë në ujrat e Kroacisë, Malit të Zi apo Shqipërisë.
Pra, sa i takon pikës së parë, ndofta duhen filluar pa humbur kohë negociatat për përcaktimin dhe delimitimin edhe të hapësirave të tjera detare me Italinë. Natyrisht, Shqipëria mund të deklarojë edhe në mënyrë të njëanshme të drejtat e veta, të paktën sa i takon të ashtuquajturës “Zonë e mbrojtur ekologjike”, një nocion i papërkufizuar në të drejtën ndërkombëtare, në reciprocitet të plotë me veprimet e palës italiane. Dihet se Italia e ka shpallur një zone të tillë qysh në vitin 2006. Ligji Italian nr. 61, datë 8 shkurt 2006 “Për caktimin e një zone të mbrojtjes ekologjike përtej kufirit të jashtëm të detit territorial” deklaron se “kufiri i jashtëm i zonës ekologjike përcaktohet me marrëveshje me shtetet përkatëse,“ dhe deri sa të të hyjnë në fuqi këto marrëveshje, atëhere si kufi shërben “vija mesore, secila pikë e së cilës është e baraslarguar nga pikat më të afërta të vijave bazë të detit territorial italian me ato të shtetit përkatës”. [Neni 1.3]. Shpallja e “zonës së mbrojtur ekologjike” shqiptare në Detin Adriatik do të ishte hap themelor në afirmimin e të drejtave të shtetit shqiptar në bazë të së drejtës ndërkombëtare të Detit.
Për më tepër, Detit Adriatik, si det gjysëm i mbyllur, thërret përdorimin e dispozitave bashkëpunuese midis shteteve përkatëse, sipas të Konventës UNCLOS [Pjesa IX, Nenet 122, 123]. Gjithsesi, ky bashkëpunim nuk mund të kryhen nën trysninë e Brukeselit. Dihet se BE-ja, si palë në UNCLOS, shprehimisht ka përjashtuar veten nga përfshirja në procesin e delimitimit. Sa i takon fushës së të drejtës së detit, BE-ja merret kryesisht me mjedisin dhe peshkimin. Mirëpo pikërisht ky sektor i fundit, që del në pah forcërisht në rastin konkret të Vlorës, ka qenë shkak kryesor që Islanda të refuzojë anëtarësimin në BE. Me sa duket, qeveria dhe populli i atij vendi krenar dhe me demokraci të lashtë e të drejtpërdrejtë nuk mund ta duronte hyqmin e BE-së para mbrojtjes së interesave dhe të drejtave të veta jetike dhe sovrane.
Prandaj, në kuadrin e frymës së miqësisë dhe bashkëpunimit me Italinë, dhe në kuadër të dispozitava “bashkëpunuese” të Konventës UNCLOS për detin gjysëm-të mbyllur, Shqipëria mund të bashkërendojë veprimet e veta edhe me Kroacinë e Malin e Zi, çka do të mundësonte paraqitjen e një qëndrimi të përbashkët dhe mbrojtjen aktive të interesave në fushën e peshkimit përballë “superfuqisë” italiane.
Sa i takon rastit të fundit të peshkatarëve italianë të ndaluar në Vlorë, që përfshihet në fushën e dytë të së drejtës, të përmendur më lart , ky nuk duket si shkelje e rastësishme dhe aksidentale. Ndryshe nga sa mund t’u ndodhë peshkatarëve shqiparë apo grekë në ujrat rreth Korfuzit, apo atyre shqiptarë apo malazes në ujrat rreth derdhjes së Bunës, ku ngatërrimet mund të jenë krejt rastësore, peshkatarët italianë duhet ta kenë ditur mirë që e kishin kapërcyer “mesin” e Adriatikut. Pra, shkelja me gjasë ka qenë e qëllimshme.
Kjo nuk është hera e parë që shteti shqiptar ndeshet me shkelje të tilla nga peshkatarët italianë. Edhe në vitet e fundit të regjimit komunist qeveria e Tiranës nuk ngurronte aspak të mbronte të drejtat e veta sovrane, siç ishte një rast në vitet 1991-1992 kur peshkatarët italianë që kishin shkelur ligjet e vendit u mbajtën për disa javë në Vlorë.
Legjislacioni i sotëm shqiptar çuditërisht është zbutur së tepërmi në këtë lëmë. Natyrisht këtu mund të vepronin dispozitat e Kodit Penal për kalim të paligjshëm të kufirit [Neni 297 i KP], por ka më shumë gjasë që rasti të mbulohet nga dispozitat e Kodit Detar për peshkimin e paligjshëm brenda Detit Territorial [Neni 372.1.(dh) i KD). Sanksionet në rastin konkret janë gati qesharake – vetëm 2000 Euro ndaj personit juridik, dhe po aq ndaj personit përgjegjës. Nuk parashikohet as masa parandaluese e heqjes së lirisë apo e sekuestrimit të mjetit, dhe as konfiskimi i gjahut. Mirëpo Neni përkatës në Kodin Detar nxjerr në dritë edhe një mangesi tjetër të ligjit shqiptar – atë të përdorimit të monedhës së huaj në legjislaconin e brendshëm të vendit, Dhe duke i shtuar kësaj edhe zhvleftësimin masiv të Euros, dhe pse jo, ndofta edhe mënjanimin e mundshëm të saj si monedhë, ndofta ligjvënësit e Tiranês mund të paraqesin amendemente përkatëse në Kodin Detar, ku përveç rritejes së sanksioneve ndaj shkeljeve të tilla, të parashikohen edhe masa të ashpra kundër përsëritësve, dhe gjobat të jenë në monedhën e vendit.
Përfundimisht, shkelja e ligjeve shqiptare në rastin konkret do të trajtohet nga prokuroria dhe organet gjyqësore në rrethin e Vlorës. Mirëpo, ky rast i mundëson Tiranës të rishikojë legjislacionin përkatës, dhe sidomos të kthejë sërish vëmendjen tek Deti Adriatik dhe të drejtat e shtetit shqiptar ndaj tij, që burojnë nga qënësia si vend bregdetar, dhe në bazë të Konventës UNCLOS e të së drejtës ndërkombëtare detare.
"Shekulli"
Add new comment