Dinastia Xen

Postuar në 15 Nëntor, 2012 06:32

Në shtetin e babit, në kohën kur është i babit shokët e tu bëhen ministra. Në shtetin e babit mund të bëhen prefektë, policë ndoshta; këngëtarë po të duan. Në shtetin, kur e ka babi në dorë kryeredaktorët e gazetave vinë të ty për tu licencuar. Ministrat vinë tek ty për të firmosur, kur s’duhet të firmosin. Ti je licenca, ti je nipti, ti je pazari. I babit shteti. Po e përbashkët vula, se ti je trashëgimtari. Në shtetin e babit policët të përshëndesin. Në shtetin e babit tatimet të përshëndesin. Në shtetin e babit pronarët e minierave të përshëndesin. Në shtetin e babit kalohet me të kuqe, ecet mbrapsht në trafik. Në shtetin e babit nuk paguhet në klube, sponsorizohet me imazh. Në shtetin e babit nuk ka stres. Është parajsa në 5000 metra katror. Mund të shkosh më larg, por nuk ka mjaftueshëm civilizim. Ka taksa për të mbledhur. Pagesa në dorë, pagesa në natyrë, pagesa servilësh, pagesa të frikësuar-ish, pagesa se të duan, s’duan të të shohin, apo thjesht se janë mësuar. Sa bukur. Sa bukur kur babi është shteti. S’ka krizë, s’ka pyetje, s’ka dilema. Ka kundërshtarë po që se kanë shtetin të tyre. Performojnë konkurrencë sa për të gudulisur babin që është babi shtet. Sa bukur te shteti i babit pa stres.

Nuk besoj se ka dilema në publik se një deputet i zgjedhur me vota të drejtpërdrejta në popull vlen më pak se biri i një kryeministri të fortë në Shqipëri. Ky element i vetëm do të mjaftonte për të kuptuar se demokracia në vendin tonë është e deformuar. Studimi i saj nuk mund të ndërtohet në parametrat e zakonshëm ku shteti ndahet në tre pushtete shtylla moderne të strukturës pas mbretërore në botë. Apo akoma më shumë ne pesë të tilla si pretendohet rishtazi nga shkenca e politikës, ku në këtë rend futet dhe pushteti lokal dhe media si mjet depërtues në çdo mendje aktive në qytet.
Analiza me paragjykim do të çonte tek një raport normal i shtetit tonë të vobektë. Kemi parlament që voton, qeveri që votëbesohet e vendos pasi është votëbesuar. Gjykatë si ndërtesë. Gjykatë si retorikë. Asnjë studiues nuk fut në lojë pushtetet e vërtetë. Celularin e babit kryeministër. Sekserin që qëndron në një raport superior me sistemin, duke qenë në rolin e lubrifikuesit të kapitalizmit dhe proceseve fitimprurëse. Asnjëherë nuk futën në libra orët e kafeve, kërcënimet nga afër, kërcënimet nga larg. Gjuha brisk, ose heshtja që s’mbaron.
Në këtë listë nëse duam, djali i kryeministrit qëndron në një rang më të atin. Në një vend ku vota e vjedhur bën më shumë punë se politika normale nuk ka si të jetë ndryshe. Nëse do ta studionin me kujdes do të kuptohej se as 10 deputetë nuk vlejnë sa një lidhje at bir. As 70 të tillë, as 71. 700 mijë vota nuk mund të barazohen demokratikisht me dëshirat e një trashëgimtari. Historia e ka treguar se babai kur do e mbledh shtetin me një sms grupi. Po pse votojmë kur dimë se mund ta zgjidhim më ndryshe. Pse humbasim kohë me formalitete që koha ka treguar se janë modeli i perëndimorëve jo i joni. Ne kemi shtetin e babit.

Sa po ja tregova titullin e shkrimit një kolegu, më tha gjysmë i buzëqeshur se do më vrisnin. Pastaj nuk qeshi më dhe tha se do më vrisnin i qetë duke refuzuar të ma lexonte shkrimin për të mirën time. Klima e terrorit qoftë dhe virtual që shoqëron është në kufijtë e psikozës kolektive. Mësymja e forcës në mendjet e qytetarëve duket se ka mbërritur nivele kritike. Nuk duhet më as që nderin tënd ta mbrosh në gjykatë. Është dordoleci i forcës që i mban të heshtur e të bindur të gjithë. Duan të jenë shokët e tu për të pasur sigurinë që kalon një shtet, në rastin konkret nën filtrin tënd ekskluziv. Kur je jashtë vëmendjes është sikur nuk ekziston. Rregulla të tjera si në një libër me gjuetarë gorillash, ku asgjë nuk është e shkruar si në libër. I dashur trashëgimtar për kohën kur na ke privatizuar dhe na shet sipas endjes duket bukur por ndoshta nuk zgjat përgjithmonë. Shiko bijtë e tjerë. Arroganca e etërve nuk u ka shërbyer përgjithnjë. Është bukur në shtetin e babit derisa e ka babi.

 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.