Miratohet ligji, Shqipëria lejon importin e plehrave

Postuar në 24 Shtator, 2011 11:05

Mazhoranca ka miratuar dhe vetëm me votat e saj projektligjin për “Menaxhimin e integruar të mbetjeve”, edhe pse ky është kundërshtuar fuqimisht nga opozita. Projektligji në fjalë ka qëndruar për vite në korridoret e Kuvendit duke hyrë e dalë pa bërë shumë bujë në komisione. Thelbi i këtij ligji është lejimi i importimit të mbetjeve për qëllime përpunimi. Kjo e kthen Shqipërinë në një vend të rrezikuar tej mase nga trafiku ndërkombëtar i plehrave të rrezikshme, një trafik që prodhon më shumë të ardhura se sa ai i drogës dhe që prej vitesh menaxhohet nga mafia.

Në ligjin e miratuar dje nuk sanksionohen procedurat e importit të plehrave, por thuhet se çdo gjë do të vendoset në një moment të dytë. “Këshilli i Ministrave, me propozim të Ministrit, miraton rregullore për zbatimin e këtij neni”,- është fjalia që përmendet në fund të çdo neni duke krijuar haptazi mundësi për abuzime.

Edhe pse ligji ka një ndarje mes mbetjeve të rrezikshme dhe atyre të parrezikshme, mundësia e verifikimit të tyre në terren është shumë e vështirë. Mbetjet e importuara janë të mbyllura në kontenierë të veçantë dhe kanë një vulë që në parim garanton cilësinë e tyre. Por për të parë realisht se çfarë ka brenda, kontenierët e vulosur dhe mbyllur hermetikisht duhen hapur dhe plehrat duhen kontrolluar një nga një. Më pas duhen bërë analizat për të parë nëse plehrat që u gjendën në kontenier janë të llojit që lejohen, apo të llojit që nuk lejohen. Edhe vendet më të zhvilluara të Europës, si Gjermania kanë pasur probleme me kontrollin e plehrave të importuara dhe në mjaft raste, mes plehrave janë gjetur edhe mbetje toksike.

***

Ligji sanksionon që ndalohet importimi i mbetjeve të rrezikshme dhe kalimi i tyre transit në Shqipëri, por pa bërë një përkufizim të saktë se cilat janë mbetjet e rrezikshme. Në nenin 48 të tij flitet për mbetjet jo-të rrezikshme. “Vetëm mbetjet jo-të rrezikshme apo mbetjet inerte mund të importohen në Republikën e Shqipërisë. Importimi i mbetjeve sipas pikës 1 lejohet vetëm me Autorizim të Këshillit të Ministrave. Autorizimi për Importimin e Mbetjeve të këtij lloji lëshohet vetëm në përputhje të plotë me këtë ligj dhe akte të tjera në fuqi. Këshilli i Ministrave, kur shqyrton kërkesën për Autorizim për Importim Mbetjesh, merr në konsideratë arsyet pse duhet të importohen këto mbetje. Autorizimi për Importimin e Mbetjeve është i vlefshëm për një periudhë kohore deri një vit dhe i nënshtrohet kushteve të përgjithshme të përcaktuara në rregulloret e miratuara në zbatim të këtij Ligji si dhe çdo kushti specifik që lidhet me rastin konkret”,- thuhet në ligj.

Pothuajse në këtë formë janë hartuar edhe nenet e tjera të ligjit për “Menaxhimin e integruar të mbetjeve”. Ajo që bie në sy është fakti që për çdo rast importimi do të merret një vendim i dytë nga Këshilli i Ministrave ose Ministria e Mjedisit. Ligji në vetvete sanksionon vetëm faktin që do të lejohet importimi i plehrave për qëllime riciklimi, por nuk jep detaje se si do të ndodhë ky import. “Djalli fshihet në detaje”,- thotë një fjalë e urtë dhe pikërisht këto detaje nuk publikohen në ligj. Çdo vendim do të merret rast pas rasti dhe publikimi për publikun e gjerë nuk është i detyrueshëm.

Në pjesën e autorizimit për importimin e mbetjeve, ligji specifikon: llojin e mbetjeve për importin e të cilave lëshohet autorizimi; standardet që lidhen me ambalazhimin dhe etiketimin e mbetjeve dhe dokumentet shoqëruese gjatë transportit të tyre. Ligji në fjalë parashikon edhe një listë të gjatë sanksionesh për ata që e shkelin, por ajo që bie në sy është se të gjitha sanksionet janë gjoba. Pra firmat që do të abuzojnë me importin e plehrave do “e kalojnë lumin” vetëm duke paguar një gjobë.

Historiku i ligjit për plehrat

Drafti i parë i ligjit ka nisur të hartohet që në vitin 2009. Pas problemeve të shumta është vendosur që të mos hartohet një draft shqiptar, por të importohet dhe të përkthehet një draft i ngjashëm. Pas shumë ndryshimesh dhe përshtatjesh, drafti mori një formë pothuajse përfundimtare në shtator 2010. Ai u kthye në një projektligj nga qeveria dhe dërguar në parlament për diskutim. Pas kundërshtimeve të opozitës, mazhoranca e vonoi miratimin e tij. Edhe pse projektligji ka bosh vendin ku shënohet data e saktë, viti i shkruar është 2009.

Specialistët e mjedisit e kanë cilësuar këtë ligj si një vazhdim të atij të miratuar nga qeveria Nano në vitin 2003. Madje Nano nisi edhe një projekt konkret në vitin 2004, por kundërshtimi i shoqërisë civile dhe i kryeopozitarit të asaj kohe, Sali Berisha, bëri që marrëveshja të lihej pezull. Në opozitë Berisha e kundërshtoi ligjin e plehrave dhe premtoi që do ta anulonte, por kur erdhi në pusht nuk e përmendi asnjë herë të vetme deri në vitet 2009-2010, kur nisi hartimin e ligjit që rregullonte importin e plehrave nga vendet e tjera.

Deputetët e PS mundësuan miratimin e ligjit për plehrat

Partia Socialiste i ka “falur” dje Partisë Demokratike miratimin e ligjit të plehrave. Edhe pse e ka kundërshtuar publikisht përpara dhe gjatë seancës së djeshme, në momentin e votimit opozita kishte mundësi ta bllokonte ligjin, por nuk e ka shfrytëzuar atë.

Që një seancë plenare e parlamentit të konsiderohet e vlefshme, në të duhet të jenë të pranishëm të paktën 50% plus një e deputetëve. E përkthyer në shifra nevojiten 71 deputetë. Në rast se mungon ky numër i etiketuar si kuorumi, atëherë seanca ndërpritet. Dje në momentin e votimit të ligjit të plehrave, në sallën e Parlamentit ishin të pranishëm 126 deputetë, nga të cilët 68 i përkisnin mazhorancës dhe 58 opozitës.

Nëse grupi Parlamentar Socialist do të merrte vendimin të bllokonte ligjin, atëherë do të mjaftonte që të dilte nga salla në momentin e votimit dhe ligji rrëzohej. Sipas rregullores së Kuvendit, nëse një ligj hidhet për votim dhe nuk miratohet ose nuk arrihet kuorumi për votim, atëherë nisma ligjore kthehet në pikën zero. Kjo do të thotë që projektligji për plehrat do të kthehej në qeveri, e cila duhet ta dërgonte edhe një herë në Kuvend dhe ligji duhet të kalonte nga fillimi procedurën e komisioneve parlamentare deri sa të arrinte në fazën e miratimit në seancë plenare.

Por dje socialistët zgjodhën të ishin të pranishëm në sallë dhe të votonin kundër këtij projektligji. Vota kundër nuk shërbeu për rrëzimin e tij, por vetëm mundësoi kalimin, pasi mazhoranca mori 69 vota pro dhe opozita 52 kundër, 5 të tjerë nuk morën pjesë në votim. Ndërsa në projektligjin për veterinarinë deputetët socialistë kërkuan marrjen parasysh të pretendimeve të tyre kundër ligjit, në rast të kundërt do të bojkotonin. Kryetarja e Kuvendit këmbënguli në vijimësinë e votimit, ndërsa përfaqësuesit opozitarë hoqën kartat e tyre prej makinës së votimit elektronik dhe i fikën ato. Ky veprim solli që kryetari i grupit të PD-së, Astrit Patozi, të kërkonte shtyrjen e votimit për ligjin që kërkonte një shumicë të thjeshtë.

Nga grupi Parlamentar Demokrat mungonin deputetët Sali Berisha, Fatmir Mediu, Ridvan Bode, Gazmend Oketa, Adriana Gjoni dhe Dashamir Sula. Të pyetur nga gazeta “Shekulli” se pse nuk u veprua në të njëjtën mënyrë për bllokimin e ligjit të mbetjeve, zyrtarë të grupit të PS-së thanë se nuk ishin në dijeni në atë moment për mungesën e votave dhe se e kuptuan atë në momentin e votimit të ligjit të mbetjeve. Sipas tyre, në momentin e votimit të prezencës nuk jepet e dhëna se sa disponon mazhoranca dhe opozita, pasi ajo u vu re vetëm pak sekonda më pas.

Kjo është një situatë e përsëritur në parlamentin shqiptar, kur forca politike që janë në Kuvend kërkojnë me ngulm mosmiratimin e një ligji dhe japin ndihmën e tyre indirekt për miratimin e tyre. Edhe në ligjin për regjistrimin e popullsisë, PDIU që përfaqësohet me dy deputetët në seancë plenare, mundësoi kuorumin për të hapur votimin dhe bëri që krahas kritikave të ashpra për ligjin, ajo të miratohej. Në të dyja rastet, PS dhe PDIU u justifikuan me naivitet politik.

Baraj: Nuk mund të kontrollohet importimi i plehrave

Sekretari për çështjet mjedisore në PS, deputetit Besnik Baraj ka kundërshtuar ligjin e plehrave duke shpjeguar se nga importimi i mbetjeve të ngurta mund të fitojnë edhe persona të lidhur me mafien që mund të transportojnë edhe mbetje me pasoja tepër të rënda për shëndetin e qytetarëve. Kundër këtij ligji, opozita propozon hartimin e një memorandumi që do të bllokonte për një periudhë të caktuar importimin e plehrave deri në forcimin e strukturave shtetërore për kontrollin e rreptë të tyre.

Parlamenti shqiptar miratoi projektligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”. Përse e kundërshtoni draftin e qeverisë?

Shqetësimi ynë lidhet me faktin që adoptimi i këtij ligji faktikisht se zgjidh këtë dramaticitet të menaxhimit të mbetjeve. Së pari ky nuk i përgjigjet realitetit shqiptar. Nuk prek ato aspekte të cilat janë bërë shqetësim në përgjithësi për komunitetin. Ky ligj nuk ka përcaktuar as një faturë financiare dhe në këtë mënyrë sikurse ligjet e tjera, do të jetë i pa zbatuar. Ligji nuk ka marrë parasysh edhe një detyrim ligjor për sa i përket hartimit si procedurë që lidhet me pyetjet dhe marrjen e mendimit të komunitetit edhe në hartim. Nuk duhet vetëm t’ia bësh publike, por njëkohësisht ta ftosh të jetë pjesëmarrës edhe në hartimin e tij. Nuk ka marrë pjesë një ekspertizë e mirëfilltë nga shoqëria civile. Gjithashtu ligji duket qartë se është një përkthim, vende-vende me probleme dukë lënë hapësira evazive dhe kjo lidhet pikërisht me mospjesëmarrjen e ekspertëve të mirëfilltë.

A ka rrezik që vendi ynë të kthehet një pikëm grumbullimi edhe për mbetjet jot ë riciklueshme që vijnë nga vendet europiane?

Ligji ka një problem shumë të rëndësishëm, atë të hapjes së dritës jeshile përfundimisht të importimit të mbetjeve apo të plehrave siç thotë populli. Nëpërmjet kësaj politike të hapjes së dritës jeshile të plehrave të importuara ne nuk krijojmë mundësitë dhe premisat për përdorimin, për riciklim dhe rikuperim të mbetjeve të vendit sepse mbetjet e importuara do të kenë kosto më të vogël se sa riciklimi i mbetjeve tona. Çdo vend veçanërisht vendet e zhvilluara shpesh janë gati të sjellin në Shqipëri ato mbetje që duan t’i heqin qafe nga hapësirat e tyre. Ku ta gjejnë ata që ka një vend që i mbledh dhe i grumbullon. Shqetësim për mua është fakti që bashkë me mbetjet që janë të riciklueshme, ekziston edhe një probabilitet i madh që të futen edhe mbetjet e rrezikshme pasi në Europë mafia e transportit të mbetjeve të rrezikshme është prezente. Kjo është më shqetësuese kur ne në doganat tona s’kemi as burimet e mjaftueshme njerëzore, as ekspertizën e nevojshme dhe as teknologjinë e nevojshme për t’i prerë rrugën importit të mbetjeve të rrezikshme. Sa kohë kjo problematike ekziston edhe në vendet e zhvilluara, imagjinoni se në çfarë përmasash do të shfaqet në Shqipëri

Qeveria pretendon se ju kundërshtoni çdo ligj. Në rastin konkret, kundërshtimi i sotëm (djeshëm) është pjesë e strategjisë?

Ky nuk është një mendim i opozitës. Nëse ju do të bëni një referendum do të jeni të bindur se mbi 90% e shqiptarëve nuk duan të realizohet importimi i mbetjeve. Dua të theksoj se importimi qoftë edhe i mbetjeve të parrezikshme, do të pengojë rigjenerimin dhe riciklimin e mbetjeve në vend.

“Ligjin e plehrave e ka sponsorizuar mafia italiane”

Opozita e ka cilësuar ligjin e djeshëm për importin e plehrave si të sponsorizuar nga mafia dhe që do ta kthejë vendin tonë në një pikë grumbullimi gjigante të mbetjeve të rrezikshme. “12 vende të BE-së nuk e pranojnë importin e plehrave. Ky projektligj është i porositur nga interesa mafioze nga vende të tjera që duan të ndërtojnë në Shqipëri impiante të përpunimit dhe të groposjes së plehrave të tyre. Në planet e parashikuara për vitin 2011 janë tetë ndërmarrje të mëdha për ndërtimin e vend-përpunimit të plehrave në qytetet shqiptare. Në listë si vend-përpunimi plehrash janë qytetet e Vlorës, Elbasanit, Beratit e Gjirokastrës me vlerë totale prej 15 miliardë eurosh. Ndërkohë Maliqi, Vlora sërish dhe Shkodra do kenë impiante për trajtimin e plehrave”,- tha deputeti socialist Taulant Balla.

Ai e mbrojti këtë deklaratë duke dhënë edhe detaje nga projektet që janë gati dhe presin vetëm miratimin e ligjit për plehrat. “Një grup i huaj ka financuar hartimin e një studimi fizibiliteti për ndërtimin e një impianti gjigant plehrash në Maliq të Korçës. Sipas të dhënave të publikuara në këtë projekt, në territorin e Shqipërisë prodhohen rreth 1 milion e 232 mijë tonelata mbeturina në vit nga të cilat 722 mijë tonelata janë mbeturina urbane, ndërsa 510 mije tonelata mbeturinash industriale”,- tha Balla.

Ai përmendi edhe një kabllogram që Konsulli Amerikan në Napoli i ka dërguar Uashingtonit duke i sqaruar se Camorra e Ndragheta kanë sytë nga Shqipëria. Në tekst përmendet dhe vendi ynë si një vendet ku është drejtuar vëmendja e dy prej grupeve më të mëdha mafioze në Itali, Camorra dhe Ndrageta.

“Qeveria është pjesë e këtij pisllëku mafioz që synon ta kthejë Shqipërinë në kazan plehrash. Prokuroria italiane ka bërë një hetim dhe në dosjen Re Mida thuhet se Shqipëria e Kosta Rika janë në planet e mafies për mbetjet toksike. Në brendësi thuhet se vendi ynë rezulton të jetë në hartën e trafikut të mbetjeve toksike që dëshiron mafia e Kampanjas, rajon ne Itali. Ky grupim dallohet sepse përdor rrugët e narko-trafikut për të gjetur territore të reja për varreza të plehrave të rrezikshme. Një tjetër raport thuhet se Shqipëria është tranzit mbetjesh radioaktive në fund te detit dhe se ish bosi i Ndrangheta-s, Francesco Fonti pranon se Shqipëria është pjesë e hartës. Po të lexosh qëndrimin e kryeministrit të munguar sot në këtë sallë, zërat për kundërshtimin e këtij ligji i quan leniniste pa dhënë argumente të përfshirjes së tij personale në këtë biznes të fëlliqur”,- tha dje deputeti Taulant Balla.

Marrë nga Shekulli

 

Comments

Submitted by raimondi (not verified) on

<p>Berisha eshte me te vertete nje fytyre e poshter, Bastard i vertete,&nbsp;&nbsp;qe per pushtetin e tij ka te drejte te shese edhe nenen e tij --Por ne te njejten kohe per te kundershtuar kete maskara &nbsp;ne kemi nje&nbsp; opozite tamam Langaraqe e mbushur me&nbsp; depudete palaco&nbsp;&nbsp;qe kane &nbsp;nje nivel jashtezakonisht te ulet intelekti&nbsp; dhe qe kryesohen nga nje shef opozite&nbsp; qe s&#39;e&nbsp;ka haberin fare se si behet politike ne opozite --Eshte tamam hu gardh&nbsp;, ndaj edhe Sala tallet me ta si i do trapi .....</p><p>&nbsp;</p><p>--Ne duhet ne fillim te nderrojme kryesine e opozites dhe pastaj Sali bastardin</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.