Të vërtetat e aktit normativ për varrezat e makinave dhe kush përfiton

Një vendim emergjent i qeverisë, që synon të bëjë riciklimin e makinave më ambient-dashës, ka rezultuar në mbylljen e 220 varrezave të makinave në Shqipëri.
Akti u kalua në parlament më 30 shtator nga mazhoranca qeverisëse e kryeministrit Sali Berisha. Kjo do thotë se bizneset e pjesëve të makinave të përdorura, duhet të zhvendosen së paku 1 kilometër larg rrugëve.
Aktualisht, qindra varreza makinash janë buzë rrugëve më të ngarkuara në Shqipëri dhe janë një bezdi për sytë në një vend që po përpiqet të zhvillojë industrinë e turizmit si dhe tërheqin vëmendjen e shoferëve, çka sipas disa politikanëve ka rezultuar në aksidente.
Kompanitë, që nuk zhvendosen, do u konfiskohet prona dhe do zhvendoset nga forcat e armatosura, thuhet në akt.
Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, pretendon se varrezat në krah të rrugëve kanë shkaktuar aksidente të shumta vitet e fundit dhe janë një bezdi për syrin.
Megjithatë, deputetët e opozitës kanë kundërshtuar klauzolën e konfiskimit në projekt- draft, duke thënë se ajo është antikushtetuese, pasi bizneseve nuk u garantohet një proces i rregullt në gjykatë.
“Një biznes nuk mund të konfiskohet pa një urdhër gjykate”, tha deputeti socialist, Armando Subashi.
Megjithatë, Olldashi hodhi poshtë këto shqetësime në lidhje me kushtetutshmërinë e ligjit, duke argumentuar se ishte një ligj zonimi, më shumë se një përpjekje për të sekuestruar pronën private.
“Ligji nuk është një mjet për konfiskim, ne thjesht u kërkojmë bizneseve të vendosen diku tjetër, ku nuk janë problem për ambientin dhe transportin”.
Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, aktet normative janë vendime të qeverisë, që hyjnë menjëherë në fuqi dhe marrim miratimin e parlamentit në mënyrë të përshpejtuar.
Përdorimi i një akti normativ për planifikimin e territorit është një praktikë ligjore e pazakontë, për shkak se procedura ekziston vetëm për situata emergjence.
Edhe pse platforma për vendndodhjen e makinave të dala jashtë përdorimit duhet të bëhet publike, ligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve, miratuar nga parlamenti më 22 shtator, specifikon se vendndodhjet e varrezave të makinave duhet të trajtohen sipas Komisionit Europiane 53, i datës 18 shtator 2000, për shkatërrimin e makinave të dala jashtë përdorimi.
Duke folur në një mbledhje të qeverisë të datës 7 shtator, kryeministri Sali Berisha paralajmëroi gjobë për ata që nuk e depozitojnë makinën e dalë jashtë përdorimit, sipas kuadrit të ri ligjor.
I vetmi vend që plotëson direktivat e KE, është fabrika multinacionale Scholz, e vendosur në Xhafzotaj, pak kilometra nga porti i Durrësit.
Megjithatë, në kontrast me Komisionin Europian, që u dha vendeve anëtare gjashtë vjet për të plotësuar direktivat, qeveria shqiptare u dha bizneseve të saj lokale vetëm një muaj.
Ndryshimi i beftë i kuadrit ligjor duket se do i japë fabrikës së Scholz një pozicion dominues në treg, ndërsa disa vëzhgues spekulojnë se kjo do kërkojë mbikëqyrjen e Autoritetet të Konkurrencës.
Sipas të dhënave nga regjistri i bizneseve, Scholz ka nisur investimin në Shqipëri në vitin 2008, përmes filialit kroat CIOS.
Kompania gjermane është një nga ricikluesit më të mëdhenj të metaleve në botë, me fabrika në disa vende të Ballkanit. Për shkak të financimit nga IFC, pjesë e Bankës Botërore, fabrika e Scholz pritet të plotësojë kriteret fikse për ambientin, çka do të bëjë që Shqipëria të përfitojë në këtë drejtim.
Por, konsumatorët vendas do të marrin më pak para nga depozitimi i makinës së tyre. Më përpara, në një varrezë tipike makinash, pronarët prisnin disa qindra euro nga shitja e makinës, në varësi të modelit. Në Kroaci, kjo firmë paguan 67 euro për makinë të vjetër.
*Marrë me shkurtime nga Balkan Insight. Titulli është redaksional
Add new comment