Fier, Parku Arkeologjik, konflikti për biletat me komunën Ndërmënas

Parku Arkeologjik i Apolonisë dhe komuna Ndërmënas janë përfshirë në një debat institucional, lidhur me të drejtën e menaxhimit financiar të faturave për vizitat në Apoloni.
Pretendimi i ngritur nga të dyja palët për të drejtën e prerjes së biletave, ka gjeneruar një konflikt mes tyre, i cili më pas ka përfunduar në institucionin e prefektit për zgjidhje.
Konfliktin mes dy institucioneve aktualisht po e paguajnë qytetarët dhe turizmi. Si Parku Arkeologjik, ashtu edhe komuna kanë ngritur trarin dhe aplikojnë biletat, përkatësisht 300 dhe 200 lekë.
Kjo situatë e pakëndshme dhe rënduese për vizitorët dhe turistët, ka bërë që shpesh ata, të kthehen prapa, pa e vizituar Apoloninë antike.
"Parku Kombëtar Arkeologjik, ligjërisht dhe praktikisht deri më sot administrohet nga drejtoria e parkut dhe jo nga komuna, ndaj i kemi kërkuar prefektit të ushtrojë kompetencat e tij ligjore për zgjidhjen e këtij konflikti", tha drejtori i këtij parku, Marin Haxhimihali.
Nga ana tjetër, kryekomunari i Ndërmenasit pretendon se është e drejta e komunës për të shfrytëzuar të ardhurat nga biletat, pasi Apolonia ndodhet në territorin gjeoadministrativ të saj. “Unë zbatoj një vendim të komunës, i cili është miratuar dhe nga prefektura, dhe sipas tij, është komuna ajo që duhet të presë bileta për çdo vizitor të Parkut Kombëtar Arkeologjik të Apolonisë", shprehet drejtuesi i kësaj komune.
Ballkanweb.com
Add new comment