Irlanda voton për traktatin e BE-së

Postuar në 31 Maj, 2012 04:47

 

Votuesit irlandezë kanë filluar mëngjesin e së enjtes të hedhin votën e tyre në kuti, për ratifikimin ose jo të Traktatit Fiskal Evropian, që vendos rregulla të rrepta për vendet me defiçit buxhetor. 

Në rast refuzimi, Irlanda do të përjashtohej nga fondet e emergjencës të Bashkimit Evropian, në një kohë kur paketa e ndihmës për të skadon në vitin 2013. 

Irlanda është i vetmi nga 25 vendet që ka çuar në votim paktin fiskal, i cili për shkak të kompleksitetit të tij nuk pritet të ketë një pjesëmarrje të lartë. 

Korrespondenti i BBC në Dublin thotë se njerëzit, të trembur dhe të inatosur me masat e vazhdueshme anti-krizë, do të votojnë kundër traktatit për të ndëshkuar qeverinë. 

Pakti i firmosur nga të gjitha vendet e BE-së, përveç Republikës Çeke dhe Britanisë së Madhe, u lejon shteteve anëtare të Unionit që të koordinojnë politikat buxhetore dhe të vendosin ndëshkime për shkelësit e rregullave. 

I nënshkruar në shkurt, pakti u imponon të gjitha vendeve që e kanë ratifikuar të asimilojnë një defiçit buxhetor 0.5 për qind më pak se të ardhurat ekonomike. Vitin e kaluar defiçiti i Irlandës arriti në kuotën 13.1 për qind. 

Rreth 3.1 milionë votuesit e këtij vendi i kanë kundërshtuar dy herë traktatet e Bashkimit Evropian në referendumet e vitit 2001 dhe 2008, edhe pse të dyja votimet janë përmbysur në votime të mëpasshme. 

Ata që janë kundër traktatit argumentojnë se masat anti-krizë nuk po funksionojnë dhe sugjerojnë që vendi duhet ta adresojë borxhin tek pesë bankat e kombëtarizuara. 

 

top-channel.tv

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.