Thellohet skandali i trukimeve në Itali, Prokuroria: Buffon baste marramendëse

Vijon skandali i basteve në Itali me informacione të tjera tronditëse. Këtë radhë në objektiv është portieri dhe kapiteni i Juventusit, Gigi Buffon. Sipas mediave vendase, kapiteni i bardhe e zinjve, ka vënë baste të ndaluara, të cilat kapin shifrën e 1 milion e gjysëm eurove.
Sipas Prokurorisë së Kremonës, hetimet po vijojnë për zbardhjen e dyshimeve mbi transaksionet e dyshimta të Buffon, ndërkohë që atyre i bashkëngjiten informacionet e marra nga policia e Torinos. Hetimet e policisë torineze, të cilat mbajnë datën 13 janar 2011, lidhen me një letër që prokurori i Torinos, Cesare Parodi i ka dërguar Prokororisë së Kremonës, ku pas fazës së parë të hetimeve ka dalë edhe emri i portierit dhe kapitetin të Juves. Në letër prokurori torinez i kërkon kolegëve në Kremona që të mbledhin të dhëna mbi Buffon, mbi dyshimet për shuma të mëdha që variojnë rreth 1.5 milion euro, të përdoruara për baste nëpërmjet personave të tretë.
Dyshimet
Prokuroria do të verifikojë në veçanti cecet që variojnë nga 1 deri 2 mijë euro, që futbollisti i Juves, i ka dërguar pronarit të një lokali në Parma që merrej edhe me baste futbollistike. Në një kohë që mbojtësit ligjor të Gigi Buffon bëjnë me dije se klienti i tyre e ka bërë një veprim të tillë si formë e ruajtjes së pasurisë.
Skandali i basteve
Bastet dhe trukimi i ndeshjeve të futbollit me qëllim përfitimet financiare kanë tronditur më 28 maj në mëngjes Italinë, teksa urdhër arrestet e dala nga Prokuroria e Kremonës kanë çuar nën pranga 19 persona. Mes të arrestuarve janë emra tepër të njohur si kapiteni i Lacios Stefano Mauri, sulmuesi i Lacios Xhuzepe Skuli, ish-mesfushori i Xhenoas dhe aktualisht te Padova Omar Milaneto, si edhe Kristian Bertani, sulmues i Sampdorias (ish-i Novarës), Paolo Açerbis, portier i Viçencës, Alesandro Pelikori, ish-sulmues i Torinos, Marko Turati, mbrojtës i Modenës etj. Nën hetim është edhe Domeniko Krishito, ish-mbrojtës i Xhenoas, që luan me Zenitin në Rusi, pasi ai është fotografuar duke bërë “pazare” për ndeshjen Lacio- Xhenoa 4-2. Po ashtu, nën hetim edhe mbrojtësi i kombëtares italiane Leonardo Bonuçi. Madje, policia ka bërë një blic në qendrën stërvitore të Koverçanos për të kontrolluar dhomën e mbrojtësit. Ndërkohë, mes të arrestuarve është edhe ish-ylli i Tiranës Zoltan Kenesei, i konsideruar nga Prokuroria italiane si shefi i një organizate kriminale në Hungari. Aktualisht, Kenesei, ish-mesfushor i klubit shqiptar Tirana, ndodhet i burgosur në Budapest, me akuzën e manipulimit të eventeve sportive. Arrestimi i tij është bërë për shkak se në bashkëpunim me futbollistët e mësipërm, por edhe me një grup të sofistikuar kriminal nga Hungaria, ka marrë pjesë në trukimet e ndeshjeve në futbollin italian.
Ballkanweb.com
Add new comment