“Le Monde”: Në tetor masat shtrënguese mund të mbarojnë

Një dritëz optimizmi lëshon gazeta franceze “Le Monde”, kur shkruan se masat shtrënguese në vendet e krizës, mund të përfundojnë në tetor.
Në shkrimin me titull "Evropa mendon t’iu japë fund masave të kursimit", gazeta franceze “Le Monde”, thekson se në muajin tetor në Greqi, ka gjasa të përfundojnë masat e kursimit.
"Mbaruam me masat shtrënguese në Evropë? Pas Spanjës, Portugalisë dhe Greqisë ndoshta në tetor, njëra pas tjetrës, vendet në krizë janë të ftuara të lehtësojnë masat shtrënguese", thuhet në artikullin e gazetës franceze.
Shkrimi vazhdon duke iu referuar mbledhjes joformale të Eurogrupit të mbajtur në Qipro, ku ministrat e financave të eurozonës ranë dakord për t'i dhënë një vit kohë qeverisë së Portugalisë, që të sjellë deficitin në 3% të PBB-së, pra deri në vitin 2014 dhe jo në 2013. "Portugalia ka respektuar në mënyrë absolute programin e kursimit të imponuar nga huadhënësit", shkruan "Le Monde".
Ndërkaq citohet edhe drejtoresha e FMN, Christine Lagarde e cila i propozoi Eurogroupit, “për t'i dhënë kohë" Greqisë.
Instituti i Analizës Ekonomike “Bruegel” do të paraqesë nesër, në 18 shtator, në Francë, një studim ku propozohet shtyrja me një vit për reduktimin e deficitit në 3% të PBB-së, për të gjitha vendet e eurozonës. Sipas ekonomistëve të Institutit, zgjatja e kohës për një vend të vetëm është diçka shumë e vështirë, pasi do të shkaktonte reagimin e tregjeve. "Është më mirë të lehtësohet presioni për të gjithë", thotë ekonomisti Jean Pizani-Feri për gazetën “Le Monde”.
Ballkanweb.com
Add new comment