Shpërndarja e mandateve, rrëzohet projekt-akti

Postuar në 23 Nëntor, 2012 08:47

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzoi parimisht aktin për rishpërndarjen e mandateve të deputetëve në zgjedhjet e ardhshme legjislative.
Projekt-vendimi që kërkonte shumicën e cilësuar të votave të anëtarëve të KQZ-së nuk u votua nga anëtarët. Sipas dy anëtarëve që kundërshtuan aktin, Albana Shtylla dhe nënkryetarin Denar Biba, Ministria e Brendshme nuk u dorëzoi materialin e kërkuar në letrën e dërguar këtij institucioni. Zoti Biba tha se KQZ mund të marrë të dhënat individuale si institucion me një kërkesë pran MB-së.
Por për Vera Shtjefnin Ministria e Brendshme në sqarimin e saj ka sqaruar se të dhënat për numrin e votuesve janë të marra korrektësisht nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile në datën e këruar nga letra dërguar për ministrinë.
Megjithatë, sqarimi i Ministrisë së Brendshme se të dhënat janë korrekte, nuk ka bindur dy anëtarët, Denar Biba dhe Albana Shtylla sipas të cilëve ministria duhet t’u kishte vënë në dispozicion të dhëna më të detajuara rreth numrit të banorëve dhe votuesve në zonat e kërkuara.
Partia Socialiste, në ditet e fundit po akuzon autoritetet shtetërore për përpjekje të manipulimit të situatës demografike në disa qarqe të vendit, çka mund të sjelle ripërcaktimin e numrit të mandateve që dalin nga këto zona zgjedhore.
Opozita thotë se në Kukës, mazhoranca do të shtojë një mandat pasi e shikon si bastion të saj dhe nga Gjirokastra, po mundohet të ulë numrin e votuesve, duke zbritur në një mandat më pak deputeti në këtë zonë. Për të folur në lidhje me këtë çështje, në edicionin qëndror të lajmeve të së enjtes ishte i pranishëm në studio Bledi Çuçi, nënsekretar për çështjet ligjore në Partinë Socialiste.
"Në fakt, çështja e numrit të popullsisë në këtë moment është e ndjeshme pasi lidhet me shpërndarjen e mandateve në çdo qark për zgjedhjet e 2013-s. PS ka qenë e vëmendshme në këtë cështje dhe që në maj e qershor ka kërkuar raport të popullsisë në të gjithë qarqet e vendit dhe këtë e ka bërë periodikisht edhe në shtator-tetor. Megjithatë, informacioni i fundit është marrë vetëm për muajt maj dhe qeshor, duke kaluar tani në nëntor, pasi në tre muaj është refuzuar të na jepet ky raport. Nëntori është muaji ku popullsia e Shqipërisë do të analizohet nga KQZ, për të ndarë dhe alokuar mandatet në bazë të qarqeve. Duke barë diferencën nga popullsia e qershorit, vihet re qartë që kemi një rritje të qarkut të Kukësit në popullsi. Shihet qartë, nga të dhënat, që në këtë qark kemi rritjen e dytë më të madhe në Shqipëri dhe qarku i Kukësit vjen vetëm pas Tiranës, pas Durrësit, Vlorës, Elbasanit, etj. Pra është logjikë normale të mendosh se ka një parregullsi, pasi njerëzit nuk kanë tendencë të shkojnë në vendet malore, por në vendet fushore dhe më të zhvilluara", deklaroi zoti Çuçi.

Top-channel

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.