MB, Olli: Rama, politikan i lidhur me krimin. Modeli i tij për policinë, ai i fëmijëve të Ruçit e Xhuvanit

Ministria e Brendshme ka reaguar sërish ditën e sotme pas akuzave të kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, se shifrat për kriminalitetin janë të frikshme dhe policia ndihet e harruar nga shteti.
Në një deklaratë për mediat pasditen e sotme, zëdhënësi i MB, Leonard Olli akuzoi kreun e PS se po përdhos sakrificën dhe përkushtimin e policëve në ruajtje dhe mbrojtje të jetës dhe pronës së qytetarit.
Olli e akuzoi Ramën si politikani me lidhjet më të forta me krimin dhe botën e tij dhe theksoi se alternativa e vetme që i ofron zoti Rama policisë, për të përmirësuar marrëdhëniet me publikun, është shembulli i fëmijëve të Gramoz Ruçit dhe Luiza Xhuvanit.
Më tej, Olli i kujtoi kreut të PS se ishte pikërisht vullneti politik i kësaj qeverie e nxori Policinë nga bataku ku e kishte zhytur qeverisja e partisë së tij, i ktheu realisht dinjitetin e nëpërkëmbur, duke e zhveshur tërësisht nga inkriminimi.
“I kujtojmë zotit Rama se Policia e Shtetit sot është një organizatë profesionale dhe bashkëkohore, e përkushtuar tërësisht në zbatim të ligjit dhe mbrojtjes së qytetarëve, jetës dhe pronës së tyre. Sot, Policia e Shtetit me profesionalizmin dhe rezultatet e shkëlqyera të saj në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, është një partnere e denjë e homologeve euro-atlantike”, – deklaroi zëdhënësi i MB.
Duke folur në një tryezë për sigurinë gjatë ditës së sotme, kryetari i PS-së theksoi se shifrat për kriminalitetin janë rritur me hapa gjigantë për shkak të gjendjes së mjerë në të cilën është katandisur sot Ministria e Brendshme dhe kupola drejtuese e uniformave blu.
SHQIP
Add new comment