Qosja: Vetëm naivët mund të besojnë për zgjedhje të ndershme me Berishën më 23 qershor

Akademiku Rexhep qosja shprehet se është naivitet të besohet se Sali Berisha do të bëjë zgjedhje të ndershme më 23 qershor. Sipas tij, BE dhe SHBA e kanë kuptuar këtë gjë dhe kanë nisur shumë herët që të bëjnë presion ndaj tij, për të mos prekur zgjedhjet.
“Në Shqipëri, deri në këtë ditë kur po i përgjigjem kësaj pyetjeje tuaj, nuk kemi pasur zgjedhje të lira e të ndershme, prandaj duhet të jesh naiv e të besosh se do të kemi më 23 qershor të këtij viti. Qeveria e sotme, e kryesuar prej një njeriu që aq agresivisht po e përdor dhe shpërdor politikën, që aq hapur dhe aq agresivisht po e përdor dhe po e keqpërdor demokracinë, që aq agresivisht ka ditur t’i keqpërdorë edhe zgjedhjet herët e kaluara, nuk mund të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Si mund të organizojë zgjedhje të lira e të ndershme një qeveri që e kryeministron, siç e quajnë në Shqipëri, stalinisti i fundit në Evropë? Jo, ky njeri që e ka ndryshuar vetëm retorikën politike, nuk mund të organizojë zgjedhje të lira e të ndershme? Jo, nuk mund të organizojë zgjedhje të lira e të ndershme qeveria e kryeministruar prej këtij stalinisti, e cila aq hapur, aq pafytyrësisht i vodhi e stërvodhi votat e qytetarëve të Tiranës për ta bërë kryetar të saj njërin prej nënbishtërinjve të tij.
Edhe SHBA-të, edhe Bashkimi Evropian herët kanë filluar të ushtrojnë trysni në këtë qeveri që të mos bëjë çka ka bërë në zgjedhjet e vitit 2009 dhe në zgjedhjet e Tiranës. Bashkimi Evropian, madje, edhe mundësinë që Shqipëria të fitojë të drejtën e bisedimeve për kandidate e ardhshme e tij, e BE-së, po e kushtëzon me lirinë dhe ndershmërinë e këtyre zgjedhjeve. Kot. Si Bashkimi Evropian ashtu edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dëshmuar shumëkund shumëherë se në politikën e vendeve të demokracisë së çoroditur i kritikojnë butë, gati sa i falin, të gjitha dallaveret, të gjitha vjedhjet e ndorimet e tjera përpos grushtshteteve.
Unë kam drojë që Sali Berisha, në qoftë se sheh se po i humb zgjedhjet – e të gjitha të dhënat që pranon mendja e shëndoshë tregojnë se do t’i humbë – mund t’i sjellë farë tragjedie të re Shqipërisë! Agresiviteti që tashmë po e shpreh tregon për rrezikun që ai përfaqëson në zgjedhjet e 23 qershorit”, tha Qosja për “GSH”.
Ai ka kërkuar nga opozita që të jetë shumë e kujdesshme dhe të përdorë çdo mjet për mbrojtjen e votës, duke nisur nga protestat dhe demonstratat.
TEMA
Add new comment