Djali i Neritan Cekës, diplomat në Vjenë, sulmonte Papa Benediktin XVI dhe refuzon të kthehet në Shqipëri

Egin Ceka, djali i ambasadorit të sapoemëruar në Romë, Neritan Ceka, është autor i disa shkrimeve kritike në forumet islame, kundër kreut të Kishës Katolike, raporton Shqiptarja.com.
Njësoj si babai, edhe ai është diplomat.
Ceka, 37 vjeç, djali i ish-këshilltarit të Berishës Neritan Ceka, refuzoi tre javë më parë që të linte mandatin e të ngarkuarit në punë në Ambasadën e republikës së Shqipërisë në Austri. Në vend që të ndërpriste shërbimin diplomatik, për tu kthyer në atdhe, siç e parashikon për ligji për shërbimin diplomatik në Republikën e Shqipërisë, pas emërimit të të atit ambasador i Shqipërisë në Itali, Ceka junior është transferuar në një përfaqësi tjetër diplomatike, po në Vjenë, në atë të UNOV.OSBE-së, duke ndërruar thjesht selinë.
Burime nga Ministria e jashtme e Republikës së Shqipërisë thanë për Shqiptarja.com se refuzimi i z.Egin Ceka ishte motivuar me mospranimin e bashkëshortes së tij, Maide, një shqiptare nga ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, një besimtare myslimane, për të jetuar në Shqipëri.
Egin Ceka është shumë aktiv në forume, sidomos të besimit islam. Në blogun “Naim Berisha”, që mund të lexohet në adresën naimberisha.blogspot.com/2009/01/papa-fjalt-dhe-qllimi.html, Ceka sulmon hapur qëndrimin e Papës Benediktit XVI që dy ditë më parë njoftoi dorëheqjen.
“Bismilahi Rrahmani Rrahim”, e nis ai analizën e publikuar në 1 janar 2009, me titull “Papa, fjalët dhe qëllimi”, por që daton vitin 2006. Aty gjen paragrafë të tillë si:
“Fjalët gjykohen sipas qëllimeve. Por cili ishte qëllimi i fjalëve të Jozef Racingerit alias Benedikti XVI gjatë leksionit të mbajtur në universitetin e Regensburgut/Bavari më 12 tetor në vendlindjen e vetë kryebariut të kishës katolike? Cilido të ketë qenë qëllimi i tij, fjalët e tij i kanë rënduar shumë tashmë marrëdhëniet e katolicizmit me botën myslimane. Fjalët e tij mbi Islamin dhe Profetin e Islamit, Muhamedin, e kanë vështirësuar bashkëjetesën në paqe dhe kanë thelluar mosbesimin ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve në Evropë dhe kudo në botë. Nga situata e krijuar prej fjalëve ofenduese të Racingerit, në Perëndim kanë përfituar sidomos ata tifozë të tezës së përplasjes së qytetërimeve, të cilët propagandojnë se myslimanët janë një trup i paintegrueshëm në Evropë…
Racingeri bëri një gabim të rëndë politik dhe me të e vuri veten e tij në një pozitë të vështirë. Ai nuk është keqkuptuar nga besimtarët myslimanë, siç nuk lodhen së përsërituri zëdhënësit e tij. Në qendër të fjalëve të tij qëndronte teza se Islami paska një marrëdhënie të veçantë me arsyen, ose më saktë me mosarsyen, dhe me dhunën. Deklarata e Racingerit ishte e qartë. Ai e sheh dhunën jo vetëm si pjesë përbërëse të historisë dhe fesë islame, por si thelbësore dhe qenësore dhe si vullnet të përjetshëm të Profetit Muhamed, i cili paska përhapur fenë e tij me shpatë në dorë”.
TEMA
Add new comment