Prokuroria dorëzon dosjen në gjyq: SMS e fundit e Nazimes, 20 min para vrasjes

Akuza: 18-vjeçarja e tërhoqi viktimën për ta vrarë.
“Nazimja gënjeu se ishte shtatzënë, la fejesën e iku në mal”
Prokuroria dorëzon dosjen në Gjykatë: SMS e fundit, 20 minuta para vrasjes.
Prokuroria: 18-vjeçarja pretendoi për rrëmbim e kanosje, por s’ka asnjë provë.
“Dëshmia e Nazimes, e pavërtetë”
Taksisti: Fiqiriu përmendi fjalën xhan disa herë në telefon
Gjashtë muaj pasi vrau me 29 plumba Fiqiri Muçën, dosja penale ndaj Nazime Vishës është dërguar në Gjykatë, ku pritet të fillojë procesi gjyqësor. Vajza 18-vjeçare, sipas akt-akuzës së Prokurorisë, ka kryer vrasje me dashje ndaj të dashurit të saj me të cilin pati lidhje intime që nga viti 2008. Prokuroria e Tiranës dorëzoi dje në Gjykatë dosjen penale që bën fjalë për vrasjen e 45-vjeçarit Fiqiri Muça, babai i pesë fëmijëve të mbetur jetimë në Durrës. Sipas përmbledhjes hetimore të përgatitur nga prokurori Blerim Tominaj në lidhje me ngjarjen, lidhja mes Fiqiri Muçës dhe Nazime Vishës filloi në vitin 2008 pa dëshirën e vajzës, siç ka pretenduar 18-vjeçarja. Prokurori thekson se, megjithatë, në asnjë rast ajo nuk i njoftoi të afërmit për dhunën e Fiqiri Muçës, edhe pse kontaktet e tyre vazhduan rregullisht deri në maj 2012, pas fejesës së Nazimes me një të ri nga Vaqari. Në këtë kohë, sipas Prokurorisë, Nazime Visha i tha Fiqiri Muçës se ishte shtatzënë, dhe ata të dy u larguan në mal, duke pasur në mendje planin që 45-vjeçari ta çonte Nazimen në shtëpinë e tij dhe të divorcohej nga gruaja me të cilën kishte pesë fëmijë. Sipas Prokurorisë, Fiqiriu ka qenë i detyruar të largohej në mal me vajzën, pasi Nazimja i tha se ishte shtatzënë, ndërsa fejesa e saj me të riun nga Vaqari u prish në ditët e para të qëndrimit të saj në mal.
Një nga mesazhet e Nazimes në celularin e Fiqiri Muçës
Kërkesa për gjykim e Prokurorisë
Nga hetimet ka rezultuar si më poshtë vijon:
Viktima Fiqiri Muça, banues në fshatin Manëz të rrethit Durrës, baba i 5 fëmijëve, prej disa viteve ka qenë i vetëpunësuar në aktivitetin e prerjes dhe transportit të drurëve nga pyjet e Burrelit në zonat urbane përreth, aktivitet i cili nuk i ka siguruar të ardhura të mjaftueshme për të mbajtur në kushte normale familjen e tij.
Gjatë punës dhe për shkak të saj, ai është njohur me shtetasin Beqir Visha, pasi ky i fundit punonte si druvar, dhe lëndën drusore që ai e priste, ia grumbullonte kundrejt pagesës Fiqiriu, i cili, më pas bënte shitjen e saj sipas kërkesave. Për shkak të frontit të punës, i cili ishte tepër larg shtëpisë së Fiqiriut dhe në pamundësi të plotë për t’u rikthyer çdo natë atje, ai ka qenë ftuar shpesh në shtëpinë e Beqirit, çka i forcoi shumë marrëdhëniet mes tyre, duke e bërë tashmë viktimën të njohur dhe me pjesëtarë të tjerë të familjes, si gruan dhe dy vajzat e tij, që i kishte akoma në shtëpi, të quajtura Lutfije dhe më e vogla Nazime.
Duke kaluar jo pak kohë në këtë familje, viktima ka kërkuar të lidhin edhe miqësi me familjen e Beqir Vishës, duke i kërkuar vajzën e tij, Lutfije, për vëllain, Vladimirin, miqësi e cila është pranuar, duke e bërë tashmë edhe më të ligjëruar dhe më të padyshimta hyrjet dhe daljet në këtë shtëpi edhe në ato raste kur kryefamiljari i saj nuk ndodhej aty.
Para rreth katër viteve, pra rreth vitit 2008, kohë në të cilën ishte bërë lidhja e krushqisë, në njërën nga ditët e qëndrimit të viktimës në banesën e Beqir Vishës, ai e ka gjetur të vetme vajzën e vogël, Nazimen, në atë kohë rreth 14 vjeçe, dhe i ka kërkuar të kryejnë marrëdhënie seksuale. Dhe, në fakt, e ka realizuar atë, por pa pëlqimin e kësaj të fundit, – siç pretendon e pandehura Nazime Visha.
PANORAMA
Add new comment