Kuvend, “Albpetroli”, Braçe: Mashtrimi i qeverisë kushton 85 mln euro. Haxhinasto: Privatizimi, sipas ligjit

Postuar në 21 Shkurt, 2013 07:06

 

Kuvendi nisi punimet e seancës plenare të radhës me ratifikimin e ndryshimeve të Konventës “Për mbrojtjen fizike të materialeve bërthamore”.

Axhenda e sotme parlamentare parashikon dhe ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim(IBDR),për financimin e projektit të burimeve ujore dhe ujitjes”; si dhe aderimin e Shqipërisë në ndryshimet e neneve të marrëveshjes së themelimit të Bankës së Detit të Zi për Tregti dhe Zhvillim (BSTDB).

Seanca e sotme përfshin dhe zhvillimin e dy interpelancave me ministrin e Ekonomisë, Edmond Haxhinasto, kërkuar nga deputeti socialist, Erion Braçe, për: falimentimin e sektorit elektroenergjetik dhe privatizimin e Albpetrol.

Topalli-deputetëve të PS: votoni tre ligjet të hyni në histori, shumica juaj s’do jenë më deputetë

Kryetarja e Parlamentit përsëriti sot thirrjen drejtuar deputetëve të opozitës për të votuar 3 ligjet për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE.

“Ju votoni konventën bërthamore, që s’kemi lidhje dhe nuk votoni ligjet për marrjen e statusit. Miliona euro për shqiptarët e pushtetin lokal. Dëgjoni Jozefinën s’keni për të qenë më deputet. Por keni për të mbetur në histori. 10 vetë na duhen e votojmë, e menjëherë marrim statusin. Edhe t’ju heqin nga lista e deputetëve hyni në histori”,- iu tha kryetarja, Jozefina Topalli, deputetëve socialistë në seancën e sotme, duke i futur tre ligjet sërish në rend dite.

Privatizimi i Albpetrol, Braçe: Mashtrimi i qeverisë ka shkaktuar 85 mln euro dëm, kam depozituar padi në prokurori për përgjegjësit

Në fjalën e tij në interpelancë me ministrin Haxhinasto lidhur me privatizimin e dështuar të Albpetrol, deputeti i PS, Erjon Braçe akuzoi qeverinë se ka shkelur ligjin duke shitur asetet publike thjesht dhe vetëm për përfitime personale dhe interesa klienteliste.

Braçe e cilësoi privatizimin si një mashtrim që ka sjellë një dëm ekonomik prej 85 milionë euro, garancia që duhet të paguante kompania fituese e tenderit, shumë për të cilën deputeti i PS kërkoi llogari se ku ka shkuar.

“Shkelja e ligjit është flagrante dhe dëshmon një qeveri klienteliste të kapur. Kam depozituar në Prokurori një padi kundër gjithë atyre që mund të konsiderohen përgjegjës për mashtrim me dëm ekonomik 85 milionë euro”, deklaroi Braçe.

Haxhinasto: Procedurat e privatizimit, në përputhje me ligjin

Ndërkohë, ministri i ekonomisë, Edmond Haxhinasto deklaroi se të gjitha procedurat për privatizimin e Albpetrol janë në përputhje me ligjin.

Haxhinasto theksoi se pasuritë nuk janë që të mbeten në tokë, por të shfrytëzohen në të mirë të mirëqenies dhe shërbimeve publike që shqiptarët kanë nevojë.

“Kërkesa ka të bëjë për kuadrin ligjor për procesin e privatizimit të Albpetrolit. Por ju thatë së është një kërkesë padi dhe duhet të linim në heshtje, por për hir të detyrimit që kemi për ta bërë këtë gjë do paraqes ligjshmërinë e procesit, që sipas vlerësimit tim është i bazuar në ligj dhe ka pasur parasysh ligjin dhe vetëm ligjin”, – tha Haxhinasto

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.