Rama: Pas 23 qershorit do jem në Parlament si kryeministër

Një ditë pas mbylljes së konventës dyditore të PS ku u shpalos programi i saj politik,kreu i PS, Edi Rama zhvilloi një takim me gazetarët, ku bëri të ditur se ky program politik do të pasohet nga një program qeverisë që do të shpaloset gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e ardhshme, ndërsa u shpreh i sigurt në fitoren e PS.
Në këtë bashkëbisedim kreu i PS deklaroi për herë të parë publikisht se pas 23 qershorit do të jetë në parlament, por si kryeministër
“Unë e shikoj parlamentin si kryeministër dhe sigurisht që besoj që nuk do më pengojë kush që të jem deputeti i Partisë Socialist, megjithëse unë kam një pikëpamje tjetër; që deputetët bëjnë detyrën e deputetit dhe kryeministri të kryeministrit”, komentoi Rama.
Më tej kreu i PS theksoi se në programin “Për një Rilindje Shqiptare” nuk ka asgjë të pamundur për t’u realizuar dhe që socialistët nuk mund ta bëjnë.
I pyetur mbi mungesën e disa figurave të Partisë Socialiste gjatë punimeve të Konventës Kombëtare, por edhe në daljet e tyre publike, Rama theksoi se PS ka demokraci ku secili mund të shprehet lirshëm, por sipas tij detyrat në PS janë të ndara dhe shumë figura të njohura janë të angazhuara, ndërsa veçoi rastin e Ben Blushit, i cili sipas Ramës kishte probleme shëndetësore.
Kreu i PS u shpreh i gatshëm për një përballje publike me kreu e qeverisë, Berisha para zgjedhjeve, duke e konsideruar madje të nevojshme një përballje të tillë, të cilën sipas Ramës, ai e ka kërkuar edhe herë të tjera.
“Duhet ta kishim dhe duhet ta kemi, jam i gatshëm për debat publik me Berishën. Kam qenë i gatshëm të bënim një debat për 3 ligjet, duhet ta bënim në vitin 2011 kur humbëm statusin, por kryeministri ka të drejtë që nuk do debat, se për të do jetë shumë i vështirë. E përsëris edhe njëherë jam i hapur për debat kudo ku kryeministri ndjehet më mirë”, tha ai.
I pyetur për vlerësimin që i bëri kontributit të Nanos dhe Metës gjatë Konventës, Rama hodhi poshtë pretendimet se vlerësimi ndaj tyre ishte një ftesë për bashkëpunim, por për të vler♪suar kontributin e tyre në PS.
“Falënderimi i Nanos nuk ka lidhje me ftesën për bashkëpunim, por me një moment të caktuar kur u fol për një histori të caktuar për futjen e saj në Internacionales Socialiste. Dhe do të ishte e paudhë që të mos përmendeshin dhe merrnin falënderimet për kontributin përkatës. Në ato raste kur ne i referohemi historisë do ta bëjmë me dinjitet dhe nuk duhet t’ia nënshtrojmë historinë axhendës politikës dhe për të njëjtën arsye përmenda dhe Ilir Metën, sepse dhe ai ka pasur këtë kontribut,” tha Rama.
PD akuza Ramës: Shqiptarët nuk jetojnë në një vend të gënjeshtërt
Partia Demokratike akuzoi liderin e opozitës dhe tha se Shqipëria nuk është një vend i gënjeshtërt, por shembull i demokracisë në zhvillim.
Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e selisë blu tha se Rama mohon lëvizjen e lirë të shqiptarëve e realitetin dhe se gënjeshtrat janë vetëm në mendjet e prapambetura.
“Ky ofendim nuk iu bëhet shqiptarëve nga ultranacionalistë serbë apo nazistë grekë dhe as nga partitë shqiptare të ekstremit të majtë, apo fantazmat e dala nga varri i Enver Hoxhës dhe Spiro Kolekës, por kjo deklaratë u bë dje nga Edi Rama, në Konventën e themelimit të partisë së re, partisë së një grushti neo-bllokmenësh, 99-tëshash dhe mjaft-uçëve të Edi Ramës, tek i paraqiste atë që mediat e quajtën sot programi i Nastradinit. Shqipëria e gënjeshtërt ekziston vetëm në paranojën tuaj politike. Shqiptarët jetojnë sot në një Shqipëri me halle, por jetojnë në një Shqipëri, qytetarët e së cilës lëvizin të lirë në mbarë Europën, arritje historike kjo për të cilën Edi Rama bëri gjithçka që t’ua mohonte shqiptarëve. Shqipëria e gënjeshtërt ekziston vetëm në mendjet psikopate dhe të sëmura për pushtet, ku për hir të karriges së pushtetit, organizojnë puçe për të marrë pushtetin me dhunë, shpallin aleancë me fundërrina dhe janë gati të pështyjnë në fytyrë, në çdo moment, vendin e tyre vetëm e vetëm që ta nxijnë atë”, u shpreh Vorpsi.
SHQIP
Add new comment