KËRKOJNË PRESION

Beogradi po kërkon nga SHBA’ të dhe Bashkimi Europian të bëjnë presion mbi Prishtinën në mënyrë që Asociacioni i Komunave me shumicë serbe të ketë kompetenca ekzekutive. Kryeministri Hashim Thaçi tha në Tiranë se zgjidhja duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e vendit. Zyrtarët europianë ndërkaq thanë se po i presin palët të hënën e ardhshme në Bruksel.
Zyrtarë të lartë të Beogradit kanë vazhduar edhe të premten ankesat se udhëheqësit e Kosovës nuk po lëshojnë pe në bisedime.
Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikolic, Kryeministri Ivica Dacic dhe zyrtarë tjerë me ndikimin në pushtetin aktual në Serbi gjatë një takimi në Beograd kanë vendosur të shkojnë në raundin e gjashtë të bisedimeve në Bruksel. Por, kanë shfaqur përsëri pakënaqësi me qëndrimet e Prishtinës.
Siç dihet, Baronesha Catherine Ashton i ka bindur në parim palët të pajtohen për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, por jo edhe se çfarë kompetenca duhet të ketë ky mekanizëm.
Pas takimi të lidershipit serb, një këshilltar i Presidentit të Serbisë u ka thënë mediave se Serbia ka përgatitur strategji për bisedimet.
Marko Djuric ka thënë se Serbia është e gatshme të përmbushë të gjitha detyrimet që dalin nga konkluzionet e Komisionit Europian për të marrë datën e bisedimeve me BE.
Ai ka pohuar se pala serbe nuk heq dorë nga bisedimet dhe se në Bruksel shkon me strategji të definuar me dëshirë që të arrihet kompromisi dhe është e gatshme të bisedojë në mënyrë konstruktive për të gjithë elementet e rregullimit të marrëdhënieve në Kosovë.
“Serbia ka koncept të qartë për krijimin e bashkësisë së komunave serbe në Veri me shumë kompetenca për shumë fusha të jetës”, ka thënë ai.
Dacic, i cili pritet të ballafaqohet me Hashim Thaçin në 4 mars në Bruksel, për “kokëfortësinë” e Prishtinës u është ankuar pesë vendeve anëtare të BE’së, që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
EXPRESS
Add new comment