PËRKRAH THAÇIT

Postuar në 03 Mars, 2013 03:24

 

Presidentja Atifete Jahjaga i ka dhënë mbështetje edhe raundit të gjashtë të dialogut Kosovë-Serbi. Ajo ka kërkuar që të respektohet Rezoluta e Kuvendit, e cila autorizon Qeverinë për të normalizuar raportet me palën serbe. Por, shefja e shtetit nuk ka dhënë përgjigje nëse marrëveshjet që mund të arrihen në Bruksel gjatë muajit mars do të jenë në përputhje me Kushtetutën.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, i ka dhënë mbështetje edhe raundit të gjashtë të dialogut Kosovë – Serbi, i cili do të mbahet të hënën në Bruksel.

Pavarësisht se analistë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile po paralajmërojnë se Kryeministri Thaçi mund ta tejkalojë Kushtetutën, duke arritur marrëveshje me Ivica Dacicin, Jahjaga ka vendosur të mos e ndryshojë qëndrimin, të cilin e ka shprehur prej ditës së parë të negociatave me Serbinë.

“Presidentja i ka dhënë mbështetje dialogut, i cili duhet të çojë drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve tona sovrane dhe të pavarura”, ka thënë Zëdhënësi i Presidencës, Arbër Vllahiu, të shtunën për Express.

Zëdhënësi Vllahiu nuk është përgjigjur nëse Presidentja do të përkrahë formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe si dhe nuk ka treguar nëse do të ketë takime tjera mes Jahjagës dhe Presidentit të Serbisë.

Vllahiu nuk u është përgjigjur as akuzave të një pjese të opozitës dhe shoqërisë civile se marrëveshjet që pritet të arrihen në Bruksel tejkalojnë Kushtetutën dhe Pakon e Ahtisaarit.

Sidoqoftë, kundër dialogut që po zhvillohet në Bruksel është vetëm Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, e cila ka paralajmëruar se dialogu po e legjitimon autonominë financiare dhe territoriale të serbëve në Kosovës.

Takimi i 4 marsit po shihet si më i rëndi deri më tash për faktin se aty pritet që dy Kryeministrat të merren vesh për funksionimin Asociacionit të Komunave serbe si dhe për shpërbërjen e strukturave serbe të sigurisë.

Udhëheqësit e Kosovës po kërkojnë që Asociacioni të mos ketë fuqi më të madhe sesa një organizatë joqeveritare, ndërsa Serbia ka thënë se pa kompetenca ekzekutive një mekanizëm i tillë është i panevojshëm. Të dy palët kanë kërkuar mbështetje të SHBA’të dhe BE’ja.

Se do të vijnë ditë kritike për dialogun pati paralajmëruar Ndërmjetësuesja e takimeve, Baronesha Chatherine Ashton, e cila ka përmendur problemin e Veriut në takimin mes Jahjagës dhe Tomislav Nikolicit, që është mbajtur më 6 shkurt në Bruksel.

“Ne tashmë jemi duke prekur çështjen e Veriut të Kosovës dhe javët në vijim do të jenë kritike”, ishte thënë në njoftimin e lëshuar nga Baronesha pas takimit.

Por, Presidentja Jahjaga kishte këmbëngulur se çështja e Veriut nuk ekziston.

“Unë e kam thënë edhe herëve të tjera dhe e përsëris qëndrimin tim se nuk ekziston çështja e Veriut. Nuk ka ekzistuar asnjëherë çështja e Veriut dhe nuk do të ekzistojë. Republika e Kosovës është e pavarur”, kishte thënë Jahjaga.

Prej atij takimi, Presidentja nuk ka dhënë ndonjë qëndrim të ri sa i përket dialogut.

Edhe të shtunën, Zëdhënësi i Presidencës, Arbër Vllahiu ka thënë se kur bëhet fjalë për dialogun duhet referuar Rezolutës së Kuvendit, e cila duhet të respektohet gjatë arritjes së marrëveshjeve me Serbinë.

“Rezoluta e Kuvendit të Kosovës autorizon Qeverinë dhe Kryeministrin për të udhëhequr me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”, ka shtuar ai.

Përveç se e autorizon Qeverinë, Rezoluta e Kuvendit të Kosovës e specifikon se për çështjet e brendshme nuk duhet të bisedohet me Serbinë.

Madje, aty kërkohet që çdo marrëveshje që arrihet në Bruksel të ratifikohet në Kuvend me 2/3 e deputetëve.

Një ditë më parë, Kryeministri Thaçi ka raportuar në Kuvend për bisedimet me Serbinë dhe ka premtuar se nuk do të ketë kurrfarë tejkalimi të Kushtetutës së Kosovës dhe Pakos së Ahtisaarit.

Por, Shefi i Qeverisë ka paralajmëruar se është i gatshëm të merr edhe vendime të rënda, por që janë në interes të Kosovës.

Ndryshe, zyrtarët qeveritarë kanë kërkuar garanci edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës së marrëveshjet që do të arrihen në Bruksel të mos bien ndesh me shtetësinë e Kosovës.

Zyrtarët në Beograd kanë thënë se dialogu aktualisht është në krizë për shkak se udhëheqësit e Kosovës nuk janë të gatshëm të pajtohen për kompetenca ekzekutive për asociacionin e komunave serbe.

Kosova dhe Serbia kanë nisur bisedimet për normalizimin e raporteve ndërshtetërore si kërkesë e ndërkombëtareve që të dy vendet të ecin më shpejt drejt integrimit në BE.

Për rezultatet e dialogut mes dy vendeve, Baronesha Ashton do të hartoj një raport, nga i cili do të varet data e negociatave për anëtarësim të Serbisë në BE.

 

EXPRESS

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.