Paga 300 mijë lekë pa taksa, përfitojnë pronarët apo punëtorët

Postuar në 07 Mars, 2013 14:38

 

Nëse vendimi i djeshëm i qeverisë për heqjen e tatimit 10 për qind në pagat deri në 300 mijë lekë do të zbatohej drejt, automatikisht për rrogëtarët e këtij niveli do të kishte një rritje page prej 20 mijë lekësh të vjetra në muaj. Po a ka gjasa të përfitojnë të 215 mijë punonjësit e sektorit privat që janë target i këtij vendimi? Më shumë jo se po. Çlirimi i taksës së sheshtë për këtë kategori do të shkojë në xhepat e pronarëve. Sidomos në bizneset me shumë të punësuar. Por Ministria e Financave e përjashton këtë variant, duke argumentuar se përfitues janë totalisht punonjësit.

Pagat rriten me 30 mijë lekë?

Ministria e Financave anashkalon çdo mundësi abuzimi nga ana e pronarëve, duke shpjeguar edhe mekanizmin pse nuk mund të ndodhë. Burimet nga kjo ministri pohuan për MAPO-n se deklarimet e listëpagesave online nga bizneset përjashtojnë çdo mundësi abuzimi nga ana e pronarëve për të fituar nga lehtësia fiskale. Kjo për shkak se çdo devijim në deklarimin e vlerës së pagës bëhet objekt kontrolli me pasojë gjoba të rënda që shkojnë deri në 1milion lekë. Sipas Financave, bizneset e dinë mirë këtë procedurë dhe asnjë prej tyre nuk do të mund të abuzonte që për të përfituar 10 apo 20 mijë lekë të vjetra të rrezikonte miliona të tjera. Qysh prej fillimit të këtij viti të gjitha bizneset bëjnë deklarimet e listëpagesave online në Tatime për efekt të tatimeve dhe sigurimeve shoqërore. Edhe në këtë formë deklarimet e kompanive të biznesit nuk janë të sinqerta, pasi në të shumtën e rasteve deklarohen shumë më pak se rrogat reale. Por ka edhe raste në ndërmarrjet e fasonit ku pagat reale janë më të ulëta se referencat që kërkojnë Tatimet për efekt taksash. Paga minimale me ligj aktualisht është 2100 lekë dhe asnjë biznes nuk mund të deklarojë më pak se ky nivel.

Skema e mashtrimit

Përvoja ka treguar se, sapo një projektligj të vihet në proces diskutimi, grupet e interesit që preken bëjnë gati skemën e mashtrimit. Taksa e sheshtë paguhet kështu: 10 mijë lekët e para nuk tatohen. Rrogat nga 10 mijë deri në 30 mijë lekë tatohen 10 për qind, duke përjashtuar 10 mijë lekët e para. Kështu tatimi mbi pagën 30 mijë lekë që paguhet aktualisht është 2 mijë lekë. Shpenzimet për pagat përbëjnë 80% të totalit të shpenzimeve në bizneset e fasonit. Disa prej tyre, por edhe të tjera nga sektori privat që preken nga heqja e taksës së sheshtë e kanë gjetur skemën e manipulimit. I deklarojnë pagat e punëtorëve 200-300 mijë lekë në bankë, por i detyrojnë të kthejnë cash në arkën e punës diferencat që shkojnë nga 1 deri në 3 mijë lekë. Kështu që paga reale për pjesë punonjësve të fasonit nuk shkon më shumë se 150-170 mijë lekë aktualisht. Duke qenë se realisht kështu ndodh ndër bizneset shqiptare, masa që ka marrë dje qeveria ka më shumë gjasa të shkojë në favor të pronarëve sesa të biznesit.

 

20

Mijë lekë do të jetë rritja e pagave për ata që përfitojnë nga heqja e taksës së sheshtë për pagat deri në 30 mijë lekë.

 

50

Milionë dollarë është efekti negativ i taksës në një vit buxhetor.

 

215

Mijë punonjës të sektorit privat dhe shtetëror përftojnë nga heqja e taksës.

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.