Rama u kërkon deputetëve: Intensifikoni komunikimin me elektoratin

Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, kryetari Edi Rama u kërkoi deputetëve që të intensifikojnë takimet me qytetarët, qoftë përmes rrjeteve sociale, qoftë edhe drejtpërdrejt.
“Axhenda e secilit prej nesh është një kusht i patjetërsueshëm për suksesin. Komunikimi përmes rrjeteve sociale është domosdoshmëri nga çdo deputet për të rritur shkallën e informimit dhe për ta ulur efektin e dizinformimit të medias së pushtetit. Ja pse kontaktet e drejtpërdrejta janë rruga më e mirë dhe e pazëvendësueshme për të përçuar në çdo familje programin tonë”, tha Rama.
Rama ka theksuar gjithashtu se programi për një rilindje shqiptare i jep përgjigje të gjitha shqetësimeve të qytetarëve.
“Njerëzit kanë shqetësim për rënien e fuqisë blerëse dhe programi ynë i jep përgjigje me ulje taksash prej 95 përqind të shqiptarëve. Shqiptarët shprehin shqetësim për rënie të punësimit dhe zgjidhja jonë është 300 mijë vende të reja vende pune me votën e 23 qershorit për një rilindje shqiptare. Ne kemi përgjigje të saktë edhe për biznesin e vogël duke hequr taksën, për të filluar lehtësimin e sipërmarrjeve që vetëpunëson njerëz. Njerëzit kanë problem me pamundësinë për kujdes shëndetësor dhe programi ynë e ka zgjidhjen. Përmbysja e skemës së dështuar të financimit dhe vendosja e një sistemi të ri që është mbulimi universal që çdokush ta marrë kujdesin shëndetësor si nevojë publike që ofrohet sipas nevojës dhe jo sipas xhepit”, tha Rama.
Në mbledhjen e grupit parlamentar Rama ka vlerësuar edhe mikpritjen e Shkodrës për prezantimin programit të PS-së, duke thënë se vëmendja me të cilën u ndoq çdo pjesë e programit ishte testi më i sigurt për përmbajtjen e tij.
TEMA
Add new comment